Presidenti i vendit Ilir Meta, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp se ka hezituar të shpallte dekretin e ri për datën e zgjedhjeve, pasi nuk ka pasur një përgjigje nga kryeministri Rama.

“Duhet të jemi shumë të hapur me njëri-tjetrin. Qëndrimi im ka qenë dhe është tepër i qartë: Më 30 qershor s’ka zgjedhje ligjore, shpresoj të ketë reflektim se një nga pretendimet ka qenë që s’ka datë të re zgjedhjesh. Prita duke synuar të dekurajoja përshkallëzimin e konfliktit dhe tensionit. Kam pritur në radhë të parë kryeministrin dhe liderin e opozitës për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse. Këto kanë qenë mesazhet e mija publike, informale dhe miqësore”,- tha Meta.

Ai shtoi ndër të tjera, se pavarësisht se priste Ramën për të dakordësuarnjë datë, nuk e ka humbur qetësinë dhe shpreson ende në reflektimin e tij.

“Ndërkohë ju i dini reagimet e tij. Unë se kam humbur dhe s’kam ndërmend ta humbas qetësinë. Ju kam thënë juve dhe gjithë shqiptarëve, s’jam këtu për të plotësuar tekat e opozitës, por për të bërë maksimumin që të zgjidhet situata. Dje në mbrëmje u detyrova t’i kërkoja zyrtarisht edhe formalisht kryeministrit një takim edhe kryetarit të opozitës, Basha. Vendimi për të vendosur datën e re të zgjedhjeve ka qenë mungesa e reagimit të kryeministrit. Përgjigja e tij ka qenë se ka qenë i zënë me fushatë, unë u detyrova e bëra takimin, pasi e prita nga ora 05:00 deri më 13:00. Ai organizon shumë takime elektorale dhe unë isha i gatshëm edhe në mesnatë ta takoja, se për mua s’ka gjë më të rëndësishme se sa stabiliteti i vendit, paqja sociale, kredencialet demokratike të Shqipërisë që nuk janë dëmtuar pak deri tani”,- vijoi Meta.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb