Kreu i Shtetit nuk mori pjesë në seancën e sotme dëgjimore të Komisionit të Ligjeve i cili do të shqyrtonte kërkesën e 49 deputetëve për ngritjen e komisionit hetimore për shkarkimin e Presidentit.

Në përgjigjen zyrtare dërguar komisionit, Meta shprehej ndër të tjera se “nxitimi i Komisionit të Ligjeve reflekton urgjencën e përmbushjes së porosisë politike për shmangien e vëmendjes nga zgjedhjet”.

“Ky nxitim i Komisionit të Ligjeve, sidomos në këtë situatë pas realizimit të zgjedhjeve të 25 prillit, përveç se reflekton qartë se po realizon me urgjencë përmbushjen e porosisë politike për të krijuar një proces fiktiv për shmangien e vëmendjes nga gjendja reale post zgjedhore dhe zbardhja e krimeve zgjedhore, mbart dhe rrezikun evident për të konsumuar shkelje kushtetuese dhe ligjore që natyrshëm, prodhojnë shpërdorim të veprimtarisë së deputetëve të Kuvendit, që për pasojë ka vetëm pavfleshmërinë e gjithë kësaj nisme fiktive”.

Meta shprehet në përgjigje se rëndësia e kësaj çështjeje, kërkon reflektim dhe vlerësim të thelluar së pari nga ju, si dhe kohë të mjaftueshme për të gjithë duke iu referuar kohës së dërgimit të njoftimi nga Kuvendi.
“Harku kohor prej më pak se 24 orësh, kurrësesi nuk mund të klasifikohet si ‘kohë e mjaftueshme’. Rregullorja e Kuvendit iu njeh të drejtën për të kryer një vlerësim dhe të hartoni një raport brenda një harku kohor prej (15) pesëmbedhjetë ditësh, afat i cili përfundon në datën 15 Maj 2021.
Edhe për këtë arsye nuk keni pse të nxitoheni për ta realizuar këtë proces brenda një dite, duke shkelur jo vetëm çdo normë në fuqi, por edhe duke ‘vendosur’, siç citoni në njoftimin tuaj, kur në fakt sipas neni 112, pika 2, të Rregullores, jeni ‘të detyruar’.
…Ndërsa zhvillimi i këtyre takimeve zyrtare protokollare shtetërore paraqitet me shumë rëndësi për Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, pasi lidhet me marrëdhëniet dy palëshe të Republikës së Shqipërisë dhe procesin e integrimit evropian, akoma me më shumë rëndësi për anëtarët deputetë të Komisionit të Ligjeve, do të ishte që pavarësisht porosive misionare partiake të ngarkuara, të respektohej për çdo lloj nisme të ndërmarrë, procedura kushtetuese dhe ligjore”, deklaron ndër të tjera Presidenti.

Duke iu drejtuar deputetëve, ai thekson se “Dhe kjo procedurë, që referohet edhe në dispozitën e Rregullores që vetë keni cituar në njoftimin e përcjellë, kërkon kohë të mjaftueshme. Ndërsa Presidenti i Republikës vlerëson se, nuk ka arsye të bëjë mbrojtje, për çështje që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me mungesën e legjitimitetit të Kuvendit në këtë nismë, nga ana tjetër, lidhur me pretendimet partiake të ngritura, në funksion të transaprencës me qytetarët e Shqipërisë, Presidenti i Republikës vlerëson se mund të japë informacione tepër interesante pikërisht mbi fenomenet e shfaqura në mënyrë të shëmtuar përgjatë këtij procesi zgjedhor”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb