TIRANË

Nga Lëvizja Socialiste për Integrim në Partia e Lirisë. Ilir Meta ka prezantuar emrin e ri që do të marrë LSI-ja nga sot.

“Ky është një vend me të cilin askush nuk mund të luajë. Dhe kemi vetëm një rrugë dhe kjo rrugë është referendumi. Referendumi do të jetë shpata e Demokleut mbi të gjithë uzurpatorët, mbi oligarkët e pangopur. Do të jetë garancia se sovraniteti nuk i përket popullit vetëm në letër.

Edhe Samoza u bë miliarder dhe e shtypi popullin e tij, por nuk gëzoi asgjë.
Prandaj e di që ju që jeni këtu keni dhimbje, keni nostalgji për LSI-në, por nuk besoj se keni më shumë se unë, edhe mund të keni. Ne e krijuam LSI-në për të shpëtuar procesin e integrimit europian që e bllokoi Fatos Nano, për hajdutërinë e tij në dogana. Ishte ai rotacion falë LSI-së që Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e asocim stabilizimit në 2006. LSI bëri çdo gjë dhe për statusin dhe për marrjen e rekomandimit, por e dini se ku jemi tani ka vetëm një rrugë, referendumi është garancia që Shqipëria do jetë e shqiptarëve. Keni parë se si shiten e blihen politikanët, por nuk ka forcë në botë që t’i blejë 3 mln shqiptarë. Mos harroni atdheun, fëmijët tuaj dhe fëmijët tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë. Atdhe nuk gjejnë dot, atdheu është vetëm këtu. Mos harroni se një gjimnaziste 16 vjeç nga Berati, nga një nga familjet më patriotike, e Tutulanëve, shkruante në hartim, më pyet shpesh vëllai më i vogël që dëgjonte historitë e atdheut dhe të pushtuesve, motër po ç’na duhet atdheu, eh vëllaçko i thashë, je i vogël e nuk e kupton, kur të rritesh do e kuptosh, atdheu na duhet që të jetojmë të lirë.

Prandaj ju ftoj nga partia e LSI-së në partinë e lirisë, në partinë e sovranitetit, në partinë e referendumit. Do të matemi shumë shpejt, partia e patronazhistëve dhe Dushan Mugoshës, partia e lirisë dhe e gjithë shqiptarëve. Rroftë Shqipëria e lirë dhe demokratike. Rroftë Kosova, shtet i pavarur, lavdi kombit tonë! Mirënjohje të gjithë atyre që themeluan LSI-në”, deklaroi Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb