Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit sot në Ljubljanë në një takim zyrtar nga Kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša.

Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, të qëndrueshme dhe me ecuri pozitive ndër vite, në fushat politike, diplomatike, në sektorët e sigurisë e të mbrojtjes, veçanërisht në kuadrin e nismave rajonale.

Presidenti Meta falënderoi Kryeministrin e Sllovenisë Janša për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe shprehu besimin, që edhe gjatë Presidencës së ardhshme sllovene të Bashkimit Europian, ajo do të mbetet një avokate e integrimit të Shqipërisë dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Sllovenia, në të gjitha rastet është rreshtuar ndër ato vende që kanë insistuar për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, – vuri në dukje Kryeministri Janša gjatë bashkëbisedimit me Presidentin Meta.

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan se përparësi e vendeve të Ballkanit Perëndimor është bashkëpunimi i ngushtë rajonal dhe thellimi i reformave të brendshme me qëllim final integrimin në Bashkimin Europian.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme reciprokisht nga të dyja palët dhe kërkoi që liberalizimi i vizave të Kosovës me Bashkimin Europian të bëhet sa më shpejt, si një vendim që ndihmon jo vetëm Kosovën, por edhe bashkëpunimin rajonal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb