Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë historike në Kroaci. I shoqëruar gjithkund nga homologia e tij kroate Kitaroviç, Meta ka qenë dhe në Arbanas të Zarës, i ashtuquajtur “oazi i shqiptarëve në Kroaci”.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera shqiptaro-kroate janë model në rajonin tonë, ato mbështeten në lidhjet e forta historike mes dy kombeve e ndajnë vizionin e përbashkët euroatlantik.
Në themel të tyre qëndrojnë denjësisht kontributi, vetëmohimi dhe sakrificat e shqiptarëve në luftën heroike për pavarësi të Kroacisë.???”, shkruan Presidenti Meta në “Facebook” përshtypjet e kësaj vizite.
Ai ka publikuar dhe disa foto në vendbanimin e shqiptarëve dikur.
“I mbushur me emocione mes Arbanasve të Zarës, kësaj pjese të rëndësishme të trungut të lashtë të popullit tonë në brigjet e Dalmacisë, këtij ‘oazi të shqiptarëve në Kroaci’”, shkruan Kreu i Shtetit.
Meta ka qenë edhe në Kishën 300-vjeçare të “Zonjës së Loretos” ku është takuar me arbanasit, popullsi me prejardhje shqiptare.
Arbanasi është vendbanim në juglindje të gadishullit të Zarës, sot pjesë e qytetit të Zarës. Ky vendbanim është krijuar në shek. e 18 me ardhjen e shqiptarëve nga viset jugore të Liqenit të Shkodrës në tri faza të shpërnguljes (në vitin 1726, 1727 dhe 1733). Banorët e këtij vendbanimi e kanë ruajtur gjuhën e të parëve, me përzierje të kroatishtes dhe dialektit të Venetos.
(m.k/BalkanWeb)