Mbase jo të gjithë kanë dëgjuar për filantropin e shquar korçar Selim Mborja, njeriun që mundësoi ngritjen e spitalit të qytetit mbi tokën e tij, të centralit elektrik që në vitin 1925, ndihmoi në furnizimin me ujë të pijshëm, ngritjen e fabrikës së parë të Birrës Korça, e një sërë shërbimesh të tjera për qytetin e tij.

Presidenti i Republikës Ilir Meta e vlerësoi pas vdekjes filantropistin Selim Mborja, për të cilin tha se i ka dhënë shumë Korçës dhe me veprimtarinë e tij në jetën sociale e kulturore, u shndërrua në një prej donatorëve më të mëdhenj të kohës.

Titulli për merita të veçanta civile për Selim Mborjen u tërhoq nga mbesa e tij Mimoza Haxhihyseni. Ajo theksoi amanetin që ka lënë Selim Mborja, që Spitalit Rajonal të Korçës t’i jepet emri Mustafa e Selim (atë e bir) si dhurues të truallit të spitalit.

Selim Mborja përveç të tjerash është edhe njeriu që ngriti fabrikën e parë të “Birrës Korça”, projekti i së cilës u hartua në vitin 1928. Ndërtimi nisi në tetor të vitit 1929, mbi një sipërfaqe prej 20,000 metra katrorë me vlerë 350,000 franga ari, pronë e Selim Mborjes. Historiani Orion Aga sjell në kujtesë disa detaje për Birrën e parë shqiptare.

Presidenti është personaliteti i parë që kujtohet dhe evidenton emrin e Selim Mborjes, një ndër personalitetet që bëri kaq shumë për modernizimin e qytetit të Korçës.

Më herët presidenti Meta gjate vizitës së tij në Korçë dekoroi 4 ish-të përndjekur politikë, simbol të rezistencës antikomuniste Ylber Merdani, Shpresa Ballolli Merdani, Nevrus Golka dhe Petrit Bazellin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb