Numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në Mianmar në protestat kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë është rritur në 780.

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), katër viktima të tjera janë konfirmuar në 24 orët e fundit nga ndërhyrja e forcave të Mianmarit.

Numri i përgjithshëm i viktimave është azhurnuar në 780, ndërsa i të arrestuarve në 3.826.

Ndërkohë, aktualisht ekzistojnë urdhra arresti për 1.540 persona.

Vdes në arrest poeti që kundërshtoi grushtin e shtetit

Nga ana tjetër, u njoftua se poeti Khet Thi, i cili njihej si aktiv në protestat kundër puçit ushtarak dhe u arrestua më 8 maj, vdiq në stacionin e ushtrisë në qytetin Monywa, ku mbahej i ndaluar.

Duke folur për BBC, gruaja e tij, Chaw Su, konfirmoi vdekjen e poetit.

“Ushtarët na kishin ndaluar të dyve. Unë u lashë e lirë pas marrjes në pyetje, por nuk e lejuan atë të dilte”, theksoi ajo.

“Kur ma dorëzuan kufomën, pashë se i mungonin disa organe të brendshme”, shtoi Su.

Qeveria ushtarake ende nuk është prononcuar në lidhje me vdekjen e poetit Thi.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb