Dy ditë më parë, klubi i Bologna-s mori vendimin për shkarkimin e trajnerit Sinisa Mihajlovic, teksa serbi ende nuk i ka kuptuar motivet e këtij vendimi të drejtuesve të klubit.

Së fundmi, Mihajlovic i ka drejtuar një letër lamtumire të gjithë atyre me të cilët bashkëpunoi te Bologna dhe sigurisht tifozëve, ndërsa nuk mungoi edhe një “thumbim” ndaj klubit:

“Më ka rastisur shpeshherë t’u them lamtumirë lojtarëve, drejtuesve, tifozëve dhe klubeve të ndryshme. Bën pjesën në karrierën e një futbollisti dhe më pas të një trajneri, ciklet sportive lindin, zhvillohen, merret kënaqësi dhe më pas përfundojnë. Asgjë nuk është e përjetshme.

Por, këtë herë, kjo lamtumirë më ka lënë një shije të hidhur. Sepse nuk po përshëndetem thjesht me një tifozëri që më ka mbështetur shumë në këto vite të mbushura me futboll, jetë, lotë gëzimi dhe dhimbje, suksese, dështime dhe rinisje.

Po përshëndes vëllezërit dhe bashkëqytetarët e mi. Aventura ime në Bologna nuk ka qenë vetëm sport, ka qenë një bashkim shpirtrash. Kemi ecur së bashku në një tunel të errët për të riparë sërish dritën. Kam ndjerë vlerësimin për rolin e trajnerit, por edhe për njeriun që jam.

Ngrohja juaj më ka mbajtur në momentet më të ftohta, kam kërkuar t’jua rikthej me punë dhe vlerësim për fanellën. Nuk jam kursyer kurrë si nga shtrati i spitalit, ashtu edhe nga fusha. Mund të bëja edhe më mirë? Ndoshta!

A dhashë të gjithë veten time? Po, pa dyshimin më të vogël! Dhe, kjo më lejon t’i shohë të gjithë në sy. Por, nëse ia dola, është edhe meritë e të gjithë tifozëve dhe Bologna-s. Nuk do t’i harroj kurrë lutjet e juaja për mua, apo çdo banderolë “Sinisa mos u dorëzo”.

Ka qenë një kënaqësi kur mora certifikatën dhe tashmë ndihem si një bolonjez. Unë nuk kam qenë kurrë një hipokrit dhe nuk do të jem as tani; Nuk e kuptoj fare këtë shkarkim. E pranoj si një profesionist, por situata ishte nën kontroll dhe në përmirësim.

Por, shoqëria nuk mendonte si unë. Jemi vetëm në javën e pestë dhe e kam të vështirë të mendoj se e gjithë kjo erdhi si pasojë e rezultateve të fundit dhe se nuk ishte një vendim i menduar kohë më parë. Do të rishihemi së shpejti në fushë, do të jem gjithmonë një nga ju”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb