Milani befason Juventusin jashtë fushës së blertë dhe ndez merkaton e janarit në ditët e fundit të saj. Igli Tare dhe drejtuesit e “Djallit” kanë hyrë me vendosmëri në garë për Jean-Philippe Mateta, një nga objektivat kryesorë në këtë sesion merkatoje për klubin bardhezi. Klubi kuqezi ka përshpejtuar ndjeshëm kontaktet me Crystal Palace dhe negociatat për sulmuesin francez janë tashmë në fazë përfundimtare. Mes palëve mbizotëron optimizmi dhe mbyllja e marrëveshjes pritet në një kohë të shkurtër.

Drejtuesit e Milanit e shohin Mateta-n si përforcimin ideal për repartin ofensiv dhe po punojnë për ta vënë sa më shpejt në dispozicion të trajnerit. Megjithatë, afrimi i tij do të sillte pasoja edhe në dalje.

Në këtë kuadër, Christopher Nkunku shfaqet si kandidati kryesor për largim. Për sulmuesin ka interes konkret nga Fenerbahçe, që prej javësh po mban kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e lojtarit. Klubi turk po shtyn fort për transferimin dhe në prapaskenë po luan rol të rëndësishëm edhe trajneri Domenico Tedesco, i cili e njeh mirë Nkunku-n nga eksperienca e përbashkët në Bundesligë.

Merkatoja e Milanit është në lëvizje dhe orët në vijim mund të jenë vendimtare, si për afrimin e Mateta-s, ashtu edhe për të ardhmen e Nkunku-t.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb