TIRANE– Në spitalin e Traumës janë investuar 1.6 milionë dollarë në 20 muajit e parë të kësaj qeverie. Kështu ka deklaruar kreu i shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë inaugurimit të Rezonancës Magnetike dje në spitalin e Traumës. “Kjo pajisje e re dhe moderne plotëson nevojat për ekzaminime imazherike në Qendrën Kombëtare të Traumës në Shqipëri. Rezonanca Magnetike do të shërbejë për rastet e urgjencës, por edhe zgjerojmë ofertën e këtij ekzaminimi të nevojshëm në spitalet tona publike edhe për rastet e planifikuara”, u shpreh ministri Beqaj.

Në këtë aktivitetai është shprehur edhe në lidhje me vendin vakant në drejtim të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ministri u shpreh se është komanduar, Milva Ikonomi, e cila do të rrijë në këtë post deri në zgjedhjen e drejtorit të ri. “Që nga dje, Këshilli Administrativ i Fondit ka komanduar në detyrën e drejtueses zv.ministren e Shëndetësisë, znj.Milva Ekonomi, derisa të bëhen procedurat normale deri në zgjedhjen e drejtuesit të ardhshëm”,-tha Beqaj.

Për sa u përket investimeve të tjera në këtë spital ministri Beqaj tha se: -“Kanë përfunduar të gjitha procedurat që për një financim të fjetur që në vitin 2006 të qeverisë italiane prej 5 milionë eurosh, që i ndryshon radikalisht të gjitha pajisjet e këtij spitali, gara të hapet brenda verës”. Drejtori i spitalit të Traumës, Gjovalin Bushi vlerësoi vëmendjen e qeverisë për këtë qendër kombëtare, pasi sipas tij në 2013 nuk kanë pasur as skaner.

“Spitali i Traumës jo vetëm që nuk kishte rezonancë më parë, por në 2013 nuk ka patur as skaner. Është një investim i madh i qeverisë shqiptare dhe duam të falënderojmë Ministrinë e Shëndetësisë për impenjimin që ka patur për shtimin e aparaturave për diagnostikimin sa më të madh të pacientëve. Rezonanca e kompleton spitalin me të gjitha ekzaminimet e nevojshme, urgjente dhe të planifikuara dhe do të ulim radhët e pritjes edhe në spitalet e tjera”, tha Dr.Gjovalin Bushi, drejtor i spitalit të Traumës.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb