Nga ferri në parajsë, kështu mund të konsiderohet pa frikë aventura e Teutës në europë. Përjetuan makthe një javë më parë duke pësuar një humbje të rëndën 0-2 në “Niko Dovana”, nuk u dorëzuan, besuan deri në fund dhe në Andorra, përballë Inter D’Esclades vunë në jetë një përmbysje të madhe duke fituar pastër 0-3 pas kohës shtesë dhe duke siguruar në këtë mënyrë një biletë për në turin e tretë në Conference League.

Durrsakët po kalojnë momentin më të mirë në historinë e klubit, jo vetëm që fituan titullin kampion por po e shndërrojnë këtë aventurë europiane për një “minierë ari”. Kalimi në turin e trete, ku do të përballen me irlandezët e Shamrock Rovers, sjell në arkat e klubit një shumë të padëgjuar më parë për Teutën, plot 1.2 milion euro, shifër e cila mund të fryhet akoma më shumë nëse arrijnë të kalojnë më tej.

280 mijë dhe 260 mijë euro, durrsakëve u shkojnë si ekipi kampion, shpërblim nga UEFA dhe shpërblimi për pjesëmarrjen në turin e parë të Champions-it. Më tej, Teuta merr tarifën e solidaritetit prej 100 mijë eurosh për turin e dytë të Conference League. E kualifikuar në turin e tretë, skuadra durrsake ka të sigurt tarifën prej 100 mijë eurosh për këtë tur dhe të paktën 550 mijë euro në rast eliminimi. Në total, deri më tani, Teuta ka garantuar 1 milion e 290 mijë euro, një shifër shumë e majme që mund të ketë jo pak ndikim edhe në të ardhmen e afër të klubit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb