Ministrat e Tregtisë së vendeve të G7-s shprehën shqetësim të thellë në lidhje me “shtrëngimin ekonomik”, veçanërisht kufizimet arbitrare ndaj eksporteve, që mund të dëmtojnë sigurinë ekonomike në një mjedis global shumë të tensionuar.
“Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me masat e shtrëngimit ekonomik, duke përfshirë kufizimet arbitrare të eksportit, që mund të çojnë në ndërprerje, në zinxhirët e furnizimit, veçanërisht për mineralet e rëndësishme, dhe të dëmtojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë ekonomike”, thanë ministrat e grupit të shtatë vendeve të industrializuara, në një deklaratë të përbashkët të lëshuar në fund të takimit të tyre dyditor në Paris.
Ministrat e Tregtisë së G7-s ranë dakord sot për të “forcuar” përgjigjet e tyre ndaj çekuilibrave tregtare globale, në një mjedis shumë të tensionuar, deklaroi ministri i deleguar francez për Tregtinë, Nicolas Forissier pas një takimi dyditor në Paris.
“Ky takim ministror ka dhënë rezultate konkrete. Së pari, do të forcojmë bashkëpunimin tonë në adresimin e çekuilibrave në tregtinë ndërkombëtare, veçanërisht në çështjen e praktikave jo-tregtare dhe subvencioneve të tepërta, si dhe mbikapacitetit industrial (…). Do t’i analizojmë këto çështje më hollësisht dhe do t’i forcojmë përgjigjet tona së bashku”, tha ministri francez.
Franca aktualisht mban presidencën e këtij grupi të vendeve të industrializuara, i cili përfshin Kanadanë, Italinë, Gjermaninë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministrat e Tregtisë së G7-s nisën dje takimin dyditor në Paris, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme ka përmbysur ekonominë globale me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës rrjedh normalisht një e pesta e naftës botërore.
Kërcënimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump të premten, për të rritur tarifat amerikane për makinat dhe kamionët nga Bashkimi Evropian ka të ngjarë të trajtohet si çështje më vete.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian arritën një marrëveshje verën e kaluar – për të kufizuar tarifat amerikane për automjetet dhe pjesët e BE-së në 15% – që është më e ulët se tarifa prej 25%, që Trump vendosi për shumë partnerë të tjerë tregtarë.
