Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, inspektoi këtë të shtunë, punimet në kantierin e lagjes së re “5 Maji” në kryeqytet.

Ahmetaj theksoi se plani është që punimet të përfundojnë brenda 14 muajve, por saktësoi se nëse punohet me tre turne, mund të përfundojnë 3 ose katër muaj më parë.

Gjithashtu ministri u shpreh se parashikohet që në vitin 2022 të mos ketë më asnjë shenjë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019.

“Plani është të bëhet për 14 muaj, nëse fitohen 3-4 muaj do të jetë më mirë për qytetarët sepse futen më shpejt. Ne i kemi përshpejtuar procedurat e shpronësimit me shkëmbim dhe qytetarët janë shumë të qartë. Planet janë fantastike, plus që kemi dhe idenë për ta zgjeruar për shkak të kërkesës së bashkisë, në mënyra që ta bashkojmë “5 Majin” me bulevardin. Na është dashur shumë kohë për ta projektuar, na është dashur shumë kohë për të diskutuar, na është dashur shumë kohë që të arrijmë në konkluzione, por në krahasim me proceset e tjera ky ka qenë shumë i shpejtë. Në pranverë të 22-shit, nuk do të ketë më asnjë shenjë nga tërmeti 26 nëntorit 2019 në të gjitha zonat e dëmtuara nga tërmeti dhe “5 Maji” ka për të qenë një shembull i mirë në favor të qytetarëve”, tha Ahmetaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb