Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi mbrëmë se janë arrestuar tre personat e dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, drejtor i portalit ‘Gazeta Metro’ në Prishtinë. Gazetari Syla u sulmua të martën në mbrëmje dhe u trajtua për lëndime në kokë në spitalin e Prishtinës. Ndërkaq në një komunikatë të Prokurorisë së Posaçme dhe policisë së Kosovës, thate se te dyshuarit u arrestuan “pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit”.

Tre të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mos durimit”, thuhet në komunikatë. Zoti Syla në një postim më të gjatë në rrjetet sociale tha se është sulmuar fizikisht ndërsa po hynte në një kafene në kryeqytet, nga tre persona të cilëve ai vet iu referua si “islamik fanatik”. Ai tha se sulmi sipas të gjitha gjasave ka të bëjë me disa reagime të tij rreth ngjarjeve në Bashkësinë Islame të Kosovës, të cilat sipas tij “kanë nxitur komunitetin e militantëve islamik të organizojnë sulm fizik të paramenduar”.

“Ajo që më shqetëson personalisht në këtë rast është që reagimet përpos që ishin të faktuara, kishin dhe doza të theksuara të humorit. Dhe kjo nuk po pranohet nga një komunitet islamik që sillet me tipare mesjetare dhe nuk po arrin të pranojë humorin dhe fjalën e lirë, shpalos te ata zymtësinë e theksuar te mendimit dhe mentalitetit të tyre”, tha ai. Zoti Syla tha se “frikësimi i masave, dhuna dhe të gjithë ata që predikojnë kundër lirive dhe veprojnë si përcjellës të kësaj fryme fanatike, nuk janë as për paqe dhe as për liri. Ky është rreziku që po na kanoset të gjithëve”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi sulmin duke e cilësuar atë “papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb