Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, sot do të vizitojë zyrtarisht Tiranën për marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi, ndërsa kjo vizitë pritet të shoqërohet me protesta nga Shoqata Çamëria dhe përfaqësuesit e PDIU.

Mediat greke shkruajnë se pikërisht kjo do të jetë temë diskutimi dhe qëllimi i vizitës së Dendias për marrëveshjen e 2009 që nuk u finalizua pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Gazetari Ergys Gjençaj raporton për BalkanWeb se fillimisht Dendias mbërrin në orën 11:00 në Rinas dhe takon Gent Cakajn. Më pas Ramën me të cilin do kenë dhe një konferencë për shtyp, teksa në axhendë ka dhe një takim me Metën.

”Në zemër të diskutimeve, siç pritet, do të jetë çështja e zgjidhjes së kufijve detarë. Çështja është pezull që nga viti 2009 kur të dy vendet nënshkruan marrëveshjen, e cila më vonë u anulua nga gjykata kushtetuese shqiptare.

Nikos Dendias vizitoi Kosovën javën e kaluar dhe, ndër të tjera, u përpoq të hetojë me udhëheqjen e kosovarëve shqiptarë nëse çështja EEZ mund të vazhdojë normalisht me Shqipërinë , pa ndërhyrjen e Turqisë.

Me përfundimin e marrëveshjes së EEZ me Shqipërinë, “fronti perëndimor” i EEZ greke mbyllet dhe hapet rruga për zgjerimin e ujërave territoriale Greke në 12 milje në Jon në mënyrën që Athina dëshiron.”– shkruajnë mediat greke.

Në Greqi këtë vizitë e cilësojnë si vendimtare për marrëveshjen e detit me Shqipërinë. Kohët e fundit një debat i madh u ndez në Shqipëri pasi Greqia paralajmëroi se do kalojë një projektligj për zgjerim të kufirit detar me 12 milje në detin Jon. Sipas Greqisë, ky zgjerim është në të drejtën e saj por qeveria shqiptare nga ana tjetër ka sqaruar se Greqia mund të zgjerohet aty ku ja lejon gjeografia, dhe jo duke cënuar territorin shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb