TIRANE- Regjistrimi i titujve të pronësisë brenda 4 viteve do të sjellë rritjen e eksporteve shqiptare në bujqësi.

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi shpjegoi gjatë seancës plenare se i hapin rrugë rritjes së eksporteve në fushën e bujqësisë ndërsa dha edhe disa shifra lidhur me rritjen e eksporteve në 2017.

“Titujt e pronësisë i hapin rrugën konsolidimit të tokës, transaksioneve të tokës bujqësore, kooperimit apo fermave me kontratë me pikat e grumbullimit që janë mbështetur shumë këto katër vite dhe kanë qenë shkaku kryesor pse eksportet shqiptare në fund të vitit 2017 në bujqësi, ishin 20% më të larta sesa në fund të vitit 2016.

Skemën e ndihmës ekonomike, Peleshi e konsideroi si kalim, nga psikologjia e mbijetesës të qeverisë së kaluar, te psikologjia e punës dhe e jetës me dinjitet.

“Është kalimi nga një skemë e korruptuar në një skemë të bazuar në kritere objektive të ndërtuar me ekspertizën më të mirë të Bankës Botërore, të testuar në 3 qarqe dhe tani gati për t’u përhapur në të gjithë Shqipërinë”, sqaroi ministri.

Duke u ndalur tek situata e krijuar ndër vite në bujqësi, Peleshi bëri fajtore opozitën për situatën e krijuar ndër vite, ndërsa deklaroi që qeveria ka shumëfishuar investimet në këtë sektor, për fuqizimin e bujqësisë në vend.

“Trashëguam një bujqësi me 89% të fermerëve me pak tokë, 2/3 e sipërfaqes së tokës pa ujë, pjesa me e madhe e tokës pa kanale kulluese, nuk u bë asgjë reale për të nxitur kooperimin, si një nga formulat që lufton varfërinë në fshat dhe rrit të ardhurat e ekonomisë bujqësore. Në 2012 skema e mbështetjes ishte 7 milionë euro, ndërsa sot është trefishuar. Sot është 20 milionë, pa harruar këtu edhe 94 milionë euro të programit të qeverisë shqiptare të mbështetur nga Bashkimi Europian”, përfundoi Peleshi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb