Gazetari Sebastian Zonja, i ftuar në emisionin “Prime News24”, ka komentuar përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u ndalur te takimi i pretenduar mes këtij të fundit dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Zonja u shpreh se nëse takimi mes tyre ka zgjatur vërtet dy orë e gjysmë, atëherë ministri duhet të dalë publikisht dhe të sqarojë se çfarë ka ndodhur. Ai ngriti edhe dyshimet nëse gjatë bisedës mund të jetë ushtruar shantazh në emër të kryeministrit.

“Nëse vërtet ka pasur bisedë dy orë e gjysmë mes Toni Gogut dhe Veliajt, atëherë ministri Toni Gogu duhet të flasë çfarë ka ndodhur. A ka pasur shantazh, ku Gogu bën shantazh në emër të kryeministrit? Atëherë nuk kemi çfarë zbulojmë më shumë se kaq”, u shpreh gazetari.

Ai tha se beson që SPAK ka nisur një hetim kryesisht për këtë çështje.

“Unë besoj se SPAK ka çelur hetim kryesisht. Ka dosje të kopsitura mirë, por edhe jo. Një jurist i mirë di të shohë një dosje të kopsitur. Nëse zoti Gogu thotë ‘e bëra nga mendja ime’, si do shkosh tek kryeministri? Ka një hetim intensiv për të shkuar deri në këtë pikë”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb