Kreu i grupit parlamentar të PD ka reaguar pas audiopërgjimeve të reja të publikuara në lidhje me Ron Yefffet, ku zbardhen bisedat mes tij dhe shtetasve të huaj, mbi Ministrinë e Energjisë, në atë kohë të drejtuar nga ish zëvendës kryeministrja dhe ish ministrja Belinda Balluku.
REAGIMI:
“Ministrinë e Energjisë ma lini mua!”
Kjo nuk është më thjesht një çështje përgjimesh. Është një pyetje e madhe politike: kush e drejton realisht shtetin shqiptar?
Nëse një shtetas i huaj, përmes lidhjeve personale me Edi Ramën, mund të flasë për ministritë dhe institucionet shqiptare sikur të ishin pronë private, atëherë kemi një skandal që kërkon menjëherë përgjigje publike dhe ligjore.
“Mos nisni asnjë letër zyrtare, merrem unë me ta” – një deklaratë e tillë, tregon një mënyrë alarmante të ushtrimit të pushtetit: institucione që anashkalohen, procedura që zëvendësohen me telefonata dhe vendimmarrje që pretendohet se kalon përmes lidhjeve personale dhe korruptive.
Kush i ka dhënë këto kompetenca? Kush autorizon ndërhyrjet? Dhe kush mban përgjegjësi? Përgjigjia dihet: Edi Rama!
Mirëpo, pasuritë dhe institucionet e Shqipërisë nuk janë pronë e Edi Ramës dhe aq më pak e miqve apo klientëve të tij. Shqiptarët nuk kanë nevojë për një shtet ku vendoset nëpër korridore dhe në telefonata private. Kanë nevojë për institucione që funksionojnë me ligj, transparencë dhe në interes të qytetarëve.
Shqipëria nuk është pronë e askujt. Pasuritë e shqiptarëve nuk mund të ndahen në tavolina private. Dhe institucionet shqiptare nuk mund të drejtohen nga miqësitë personale të Kryeministrit.
Kjo histori kërkon transparencë, hetim dhe përgjegjësi. Menjëherë, pa asnjë vonesë!
