Me premtimin se do të luftojë korrupsionin dhe do të qeverisë me duar të pastra, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, mori udhëheqjen në vitin 2021. Sot, në vitin e fundit të mandatit, zyrtarë të saj kritikohen për “përfshirje në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

Së paku dy ministre janë ose nën hetime, ose në procedura gjyqësore. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thotë, po ashtu, se numri i zyrtarëve publikë, që s’e kanë respektuar obligimin e deklarimit të pasurisë, është rritur në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021, ndonëse, ndër vite, është rritur edhe numri i zyrtarëve me këtë obligim ligjor. Vetë Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, thotë se ka bërë “përparim” në luftimin e, siç e cilëson, “problemit të trashëguar”.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është duke u përballur aktualisht me akuzën për mosdeklarim të pasurisë. Muajin e kaluar, ajo u deklarua e pafajshme para Gjykatës Themelore në Prishtinë, por procesi është në zhvillim e sipër. Në fund të vitit 2022, ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë. Hajdari, aktualisht, është nën hetime për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore.

Si Hajdari, ashtu edhe Gërvalla vazhdojnë t’i kryejnë detyrat ministrore. E pyetur nga Radio Evropa e Lirë t’i komentojë këto raste, Qeveria e Kosovës tha në një përgjigje me shkrim se shpreh besimin se “hetimet do të vërtetojnë se nuk ka pasur asnjë shkelje apo akt korruptimi”.

Mosdeklarimi i pasurisë
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë, Yll Buleshkaj, thotë se këtë vit janë mbi 130 zyrtarë publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, ose e kanë bërë këtë jashtë afatit ligjor. Sipas tij, numri i tyre është rritur për disa fish krahasuar me vitin e kaluar. Por, thekson Buleshkaj, ngjashëm është rritur edhe numri i zyrtarëve me këtë obligim ligjor – nga rreth 4.900 në vitin 2021, në rreth 11 mijë këtë vit. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se si ka lëvizur numri i atyre që s’e kanë përmbushur këtë obligim ligjor ndër vite:

“Në vitin 2021 kanë qenë 109 [zyrtarë]. Pastaj, ky numër ka rënë në 61 në vitin 2022 dhe në 38 në vitin 2023. Por, ky numër tani është rritur. I kemi mbi 150 [zyrtarë], të cilët nuk e kanë kryer këtë obligim këtë vit”.

Buleshkaj thotë se ata zyrtarë që e kanë deklaruar pasurinë deri në 15 ditë pas afatit ligjor, do të gjobiten nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ndërsa të tjerët do të jenë subjekt i kallëzimeve penale.Kjo agjenci e ka tani kompetencën që t’i shqiptojë vetë gjobat, të cilat, sipas Buleshkajt, sillen nga 30 për qind e pagës deri në 500 euro.

Ai thotë se këtë vit nuk ka ende ndonjë kallëzim penal për mosdeklarim të pasurisë, meqë nuk ka nisur ende procesi i verifikimit të të dhënave të mbledhura për 2024-shin.

Duke i komentuar vendimet e gjykatave për 38 rastet e vitit 2023, të cilat i ka pranuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Buleshkaj thotë se vlera e gjobave ka qenë prej 150 euro deri në 1.000 euro, si dhe burgim me kusht nga tre muaj deri në një vit, me kohë për verifikim deri në dy vjet.

“Dështim në tri aspekte”
Mospërmbushja e obligimit ligjor për deklarimin e pasurisë përçon në publik mesazhin për mungesë vullneti për të respektuar ligjin, thotë Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbushë premtimin për “qeverisje me duar të pastra” dhe mosdeklarimi i pasurisë paraqet “vetëm një aspekt të këtij dështimi”. Një aspekt tjetër, thotë ai, është “kultura e pandëshkueshmërisë në rastet kur ministrat përballen me hetime penale ose parapenale”.

“Dhe i treti, e ndoshta edhe më i rrezikshmi, është kur kryeministri Kurti, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje [partisë në pushtet], ministra… u dalin në mbrojtje personave që kanë qenë të arrestuar për korrupsion, apo subjekt i hetimeve për korrupsion”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Ai i referohet rastit të ministres Hajdari, atij të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili aktualisht është subjekt i hetimit të Prokurorisë së Kosovës për shmangie tatimi dhe shpëlarje të parave, si dhe rastit të ish-shefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua vitin e kaluar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Hajdari dhe Berishaj vazhdojnë t’i kryejnë detyrat pavarësisht hetimeve, ndërsa Krasniqi, vetëm disa ditë më parë, është liruar nga detyra e drejtuesit të KEK-ut./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: