LEZHE– Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Ministrave në qarkun Lezhë, u takua me drejtuesit vendor si dhe zhvilloi vizita në institucionet e varësisë së Ministrisë së Drejtësisë.

Në takimet që pati me drejtuesit dhe punonjësit e zyrave të Hipotekës, ALUIZNI-t, Përmbarimit, Shërbimit të Provës në Lezhë dhe Rrëshen, Ministrja Gjonaj u njoh nga afër me ecurinë e punëve si dhe me problematikat që ndeshen në përditshmëri.

Në fjalën e saj, Ministrja nënvizoi prioritetin kryesor të qeverisë dhe të ministrisë sa i përket reformimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, përmes marrjes së një sërë vendimesh nga Këshilli i Ministrave që kanë të bëjnë me reduktimin e procedurave për përfitimin e një shërbimi publik.

Ministrja Gjonaj tërhoqi vëmendjen që çdo ankese t`i jepet rëndësia dhe serioziteti i duhur, sikundër ajo vetë si ministre së bashku me stafin e saj angazhohen për të shqyrtuar çdo rast që adresohet përmes portalit shqipëriaqëduam.al.

Për të ndryshuar perceptimin e deritanishëm të funksionimit të këtyre institucioneve mbi shërbimet ndaj qytetarit, Ministrja e Drejtësisë u shpreh e vendosur për të mos toleruar asnjë shkelje ligjore, abuzime me detyrën apo marrje rryshfeti, duke paralajmëruar largime nga puna, procedime për ndjekje administrative apo penale për çdo punonjës apo drejtues.

Në vizionin e Ministrisë së Drejtësisë, çdo institucion i saj i varësisë, duhet të dijë si të ofrojë qytetarin apo sipërmarrësin pranë vetes, duke nënvizuar lidhjen e ndërsjelltë të përfitimeve në marrëdhëniet mes tyre. Ministrja tha se mbledhja e të ardhurave nga shërbimet që u ofrohen qytetarëve apo bizneseve ndikon në rritjen e buxhetit të shtetit, duke u përkthyer në rritje të investimeve publike për qytetarët.

Në kuadër të reformave për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve Ministrja Gjonaj tha se performanca mbetet një kriter i padiskutueshëm, si për drejtuesit e rinj të cilët do të jenë në një periudhë prove për 3 muaj, ashtu edhe për çdo punonjës, pozicioni i të cilëve duhet të jetë në përputhje me arsimin përkatës.

Së fundmi, por ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare në kuadër të jetësimit të Reformës në Drejtësi, Ministrja Gjonaj porositi drejtuesit e institucioneve që të trajtojnë me përparësi kërkesat që vijnë nga organet e vettingut. Ministrja tha se nuk do të tolerojë asnjë vonesë në trajtimin e këtyre rasteve, duke paralajmëruar se do të merren masa ndëshkimore mbi punonjësit që bëhen pengesë e këtij procesi. Më tej

Ministrja shtoi që rezultatet e prekshme të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë kusht për hapjen e negociatave me BE. Përmbushja me përparësi e kërkesave të organeve të rivlerësimit, është një proces me rëndësi kombëtare, i cili ka mbështetjen e gjithë qeverisë dhe kryeministrit Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: