KOSOVE – Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli mori sot titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Komunës së Drenasit. Dekretin e shpalljes së ‘Qytetare Nderi’ e Komunës dhe motivacionin e ka lexuar, kryetari i Kuvendit Komunal, Naim Bazaj, në të cilin është shkruar: “Zonja e nderuar, Mimi Kodheli shpallet Qytetare Nderi e Komunës për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e pakursyer për çlirimin e Kosovës dhe mbështetjes së vazhdueshme për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës dhe vënien e interesave të Kosovës në agjendat integruese euro-atlantike. Për personalitetin e fuqishëm motivues dhe inspirues të lartësimit të gruas shqiptare në Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe të fuqizimit të saj duke qenë në vendimmarrje. Dëshmoi me angazhimin e saj të pashoq se gruaja shqiptare denjësisht ka promovuar dhe lartësuar vlerat kombëtare”.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë drejtues, anëtarë të Kuvendit Komunal, ish-luftëtarë, qytetarë të kësaj komune. Gjatë fjalës së saj ministrja Kodheli uroi dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për nderimin e veçantë që i bënë dhe për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore.

“Ndihem shumë  e privilegjuar, e emocionuar dhe e nderuar që vij këtu, në Komunën heroike të Drenasit, në zemrën e rezistencës së Shqipërisë, që të bëhem dhe unë qytetare e kësaj toke të shtrenjtë trimash. Dua t’ju falënderoj një nga një, por edhe të gjithë ju të nderuar anëtarë të Kuvendit Komunal  që vendosët të më nderoni me titullin “Qytetar Nderi”, u shpreh ministrja. Znj. Kodheli ka nënvizuar se toka e Drenasit është dëshmitare e shumë betejave për liri dhe pavarësi. “Kjo tokë në shekuj është shkelur nga thundra e pushtuesit është djegur nga dora e dushmanit, është larë nga gjaku i bijve të vet më të mirë dhe prandaj kjo tokë është sa e shenjtë aq e bukur dhe hyjnore, se nga këtu kanë dalë trimat shqiptarë, burra dhe gra që atdheun e kanë vënë para vetes, përpara jetës së tyre”, deklaroi Ministrja.

Znj. Kodheli më tej nënvizoi se “Unë jam krenare që tashmë jam pjesë e kësaj toke njerëzish trima dhe të lirë dhe me këtë rast shpresoj se përmbush  dhe një ëndërr të vjetër, të babait tim të ndjerë, që punoi fort, për pavarësinë e kësaj toke rreth 40 vite më parë”.

Duke shfrytëzuar këtë ceremoni ministrja Kodheli vuri në dukje se betejat  për lirinë e Drenasit kanë pasur edhe heronj të heshtur nga ana tjetër e kufirit shqiptar ndarës. “Unë jam e bindur se, kjo betejë është e ardhmja jonë Euroatlantike është synimi i të gjithë atyre që punojnë dhe përpiqen për të mirën e çdo familje shqiptare kudo që ndodhet”, deklaroi znj. Kodheli.

Duke folur për problemet e sotme si në Shqipëri dhe Kosovë, ministrja theksoi se kur dukemi se sa mirë jemi, ngandonjëherë jemi edhe të këqijtë e vetes, pasi sot, kemi një luftë të re, të madhe dhe sublime, luftë me varfërinë, me papunësinë, me mungesën e drejtësisë që disa politikanë apo pushtete të ashtuquajtura të pavarura, na e kanë shndërruar në sistem.

Teksa është ndalur tek zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, Kodheli  nënvizoi se: “Në Tiranë, ka një grup njerëzish që po përpiqen të krijojnë konflikt me Perëndimin, të trembur nga reformat, kryesisht asaj në drejtësi. Ky grup i dhunshëm politikanësh, që padyshim e urrejnë demokracinë, ashtu si dhe zbatimin e ligjit, të drejtën e qytetarëve për të votuar, barazinë përpara drejtësisë,  do të marrin një përgjigje nga populli shqiptar, nga qytetarët e Shqipërisë pak javë më vonë, që është ajo e Shqipërisë së lirë, e demokracisë së re. Por, absolutisht e demokracisë së duhur”.

Në fund të fjalës së saj Ministrja Kodheli falënderoi të pranishmit për nderin e madh që i bënë që e pranuan në gjirin e tyre, që e pranuan qytetare të tyren, duke theksuar se “duhet të punojmë së bashku që së shpejti të jemi të gjithë bashkë qytetarë të denjë të Europës së bashkuar”.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se ka nderin të prezantojë para qytetarëve të Drenasit, propozimin e tij, të miratuar me vota unanime në Asamblenë komunale të Drenasit, ta shpallë dhe japë titullin qytetare nderi për Ministren e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli.

“Ju, me përkushtim të pashoq, keni lartësuar Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar. Keni argumentuar fuqinë e barazisë gjinore, dëshmuat aftësinë e gruas shqiptare në politikë dhe vendimmarrje. Vendi i rezervuar për burrat e Shqipërisë, për Ministrinë e Mbrojtjes, me dinjitet e udhëhiqni, si grua që eci gjurmë vetë paraardhëseve tuaja që historia jonë është aq e begatë dhe krenare. Ju keni vijuar rrugën e grave të shquara të kombit, si Ministre shqiptare në NATO, duke prezantuar kombin tonë dhe Republikën e Kosovës me aspiratën për të qenë pjesë e saj. Mbamendja historike, na kthen te mbretëresha Teutë, vajzat e Kastriotit, Nora dhe vajzat e Kelmendit, Shote Galica, Nëna Salë e Prekazit, Xhevë Lladrovci, Hyrë Emini dhe mijëra gra që u vunë në shërbim të atdheut. Lidhja juaj emocionale me Kosovën, na motivuan t’ju shpallim Qytetare nderi e Deenasit dhe Drenicës së Komandantit tonë legjendar Adem Jashari.

Pas përfundimit të seancës solemne Kodheli ka bërë homazhe pranë varrit të dëshmorëve Fehmi e Xhevë Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: