TIRANË

Analistët e politikanët janë të ndarë teksa diskutojnë presidencën e OSBE-së nga Shqipëria. Analisti Skënder Minxhozi tha në “Real Story” në News24 se kryesimi i OSBE nga Shqipëria është një detyrë e vështirë duke iu referuar raportit të mëparshëm mes PS-së, kryeministrit Edi Rama dhe Rusisë. Duke folur për turin që do të nisë së shpejti, ku përfshihet dhe Rusia, Minxhozi foli për Krimenë dhe sipas tij në këtë situatë do të thotë të kërcesh në tehun e briskut.

“Unë do doja që si shqiptarë të kishim një Presidencë normale. Do doja që ky triumvirati, Kryeministri si Ministër i Jashtëm, ministri në detyrë dhe Bushati si i dërguar i posaçëm të jetë një element force. Nga ana tjetër do thosha që është një detyrë shumë e vështirë për disa rrethana specifike. Rama shkoi në Kiev do shkojë dhe në Moskë. Krimeja ka atë status dhe do të thotë të kërcesh në tehun e briskun. Rusia ka pasur dy deklarata zyrtare që si kryeministri dhe kjo parti ka elementë terroristë.
Do të thotë është shumë kurioze të shihet si do komportohet kjo presidencë në raport me këto ngjarje. Uroj që në deri në dhjetor të mbahen frenat e presidencës siç duhet”, tha Minxhozi.

Për ish-ministrin e Jashtëm Tritan Shehu nuk do të ketë ndonjë përfitim për problemet e Shqipërisë. Ai uron që Rama mos të prishë punë në turin e tij.
“Nuk pres që do japë asnjë profit për problemet tona. problemet tona zgjidhen në të tjera nivele me ata partnerë që kemi. Nuk mendoj se do zgjidhen me Putinin. Unë uroj që në këtë tur që do bëjë Rama të mos na prishë punë se gjithmonë na ka prishur punë. Mos të kërkojë me Putinin që të anëtarësohemi në unionin euroaziatik. Unë shpresoj që Rama të mos shkojë në fund të janarit në Beograd. Do ishte një tradhti kombëtare, një turp i madh”, tha Shehu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb