Shqipëria U17 barazoi 2-2 në ndeshjen e parë miqësore ndaj Malit të Zi U17. Skuadra e drejtuar nga Armand Dama zhvilloi një paraqitje të mirë, duke shënuar dy gola në pjesën e parë.

Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 18-të. Hyseni harkoi nga e djathta drejt zonës, ndërsa Ivanoviç devijoi në mënyrë të pavullnetshme topin në rrjetën e portës së skuadrës së tij.

Pa u mbushur gjysmë ore lojë, Shqipëria dyfishoi avantazhin me Hysenin, i cili këtë herë e dërgoi vetë topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, Mali i Zi ngushtoi diferencën në minutën e 62-të. Shqipëria mbeti me 10 lojtarë në minutën e 83-të, pas kartonit të kuq të marrë nga Sharka.

Kur gjithçka po i drejtohej fundit, Mali i Zi gjeti edhe golin e barazimit në minutat shtesë me Bulatoviç, duke vulosur rezultatin 2-2.

Ndeshja e dytë miqësore mes dy skuadrave do të luhet të hënën, në orën 11:00, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Sfida do të transmetohet drejtpërdrejt në FSHF TV, si dhe në kanalin zyrtar të FSHF-së në YouTube.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb