Kombëtarja U-21 do të nisë të hënën grumbullimin në qytetin e Elbasanit, në kuadër të përgatitjeve për miqësoren e muajit qershor ndaj Bullgarisë U-21. Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi shpalli pak ditë më parë edhe listën me 22 emrat e lojtarëve të thirrur për këtë miqësore.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se skuadrës do t’i bashkohen edhe dy vëllezërit Stiven Shpendi dhe Christian Shpendi. Dy sulmuesit nuk ishin pjesë e listës së lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Bushi për shkak të angazhimit të tyre me skuadrën e Cesenës, teksa tashmë klubi i ka lënë të lirë dhe do t’i bashkohen menjëherë grupit kuqezi të hënën.

Shqipëria U-21 do të nisë përgatitjet të hënën për ndeshjen miqësore kundër Bullgarisë, e planifikuar të luhet në stadiumin ‘Elbasan Arena’ më 20 qershor. Stafi teknik i Kombëtares U-21, me në krye trajnerin Alban Bushi do të ketë mundësinë të testojë grupin në një grumbullim që do të zgjasë rreth një javë dhe të provojë ekipin kuqezi. Përgatitjet për eliminatoret e Kampionatit të ardhshëm Europian kanë nisur që prej nëntorit të kaluar, teksa Shqipëria U-21 ka zbritur disa herë në fushë, duke matur forcat në takime miqësore me kundërshtarë të ndryshëm.

Kualifikueset e Kampionatit Europian për Kombëtaren U-21 do të nisin në muajin shtator, teksa Shqipëria është shortuar në Grupin E së bashku me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.

U 21 Lista Perditesuar 2023

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: