Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Maj 2020 u miratua dokumenti i politikave strategjike të planit Kombëtar për menaxhimin e integruar të mbetjeve deri në 2035 si dhe shfuqizimi i ligjit të vitit 2011, për menaxhimin e tyre.

Po në lidhje me mbetjet, qeveria ka nisur shpronësimin e privatëve në Vlorë, me qëllim vënien në zbatim të projektit të menaxhimit të mbetjeve.

VENDIM PËR MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE STRATEGJIKE dhe TË Planit KOMBËTAR PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE 2020-2035

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 21, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Miratimin e dokumentit të politikave strategjike dhe të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020-2035, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimi nr.175, datë 17.1.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve dhe të Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe institucionet e tjera përgjegjëse të përcaktuara në dokumentin e politikave strategjike dhe Planin Kombëtar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “MENAXHIMI I INTEGRUAR I MBETJEVE TË NGURTA TË RAJONIT TË VLORËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Menaxhimi i integruar i mbetjeve të ngurta të Rajonit të Vlorës”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “Tokë arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 29 442 300 (njëzet e nëntë milionë e katërqind e dyzet e dy mijë e treqind) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 29 442 300 (njëzet e nëntë milionë e katërqind e dyzet e dy mijë e treqind) lekë, të mbulohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2020.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2020, i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Vlorë.

8. Bashkia Vlorë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vlorë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA
TË REJAT E FUNDIT

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb