Libri “Misioni im” i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është bërë pjesë e platformës më të madhe të shitjes së librave online “Amazon”.

Libri i kryedemokratit mund të blihet me “Kindle” në faqen e “Amazon”, ku bëhet edhe një përshkrim për mesazhin që Basha iu përcjell të gjithë shqiptarëve në “Misioni im”.

“Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në ftesën publike për të votuar kandidaturën e tij për kryeministër dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, Lulzim Basha sjell këtë letër të hapur drejtuar gjithë shqiptarëve. Në të janë qasjet e tij personale mbi jetën politike në vend dhe zhvillimet e opozitarizmit nën drejtimin e tij; lidhjet e tij familjare e personale dhe historikun e përfshirjes së tij në politikën aktive në vend; tezat mbi gjendjen e ekonomisë sot dhe mënyrën për të dalë nga kolapsi; nevojën akute për të shmangur instalimin e një diktature përmes uzurpimit të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, kërcënimit të medias, mercenarizimit të administratës dhe formave të tjera të presiont politik; idetë mbi ndryshimin e sjelljes politike e të kthimit të mjedisit politik e publik në qetësinë dhe normalitetin europian; thirrjen për të bashkuar ëndrrat dhe dëshirat e çdo shqiptari për një rimëkëmbje të vërtetë kombëtare: ekonomike, kulturore, shpirtërore, me po atë forcën ndryshuese që shpesh shqiptarët kanë treguar se dinë ta bëjnë. Lidhjet e tij familjare e personale me Kosovën, i japin këtij traktati një frymë kombëtare dhe shpjegojnë idetë e tij se si duhet t’i qasemi çështjes sonë kombëtare, jashtë nacionalizmit të zbrazur e për t’i kthyer shqiptarët në kontribuesit e vyer në rajon dhe në Europë”, është përshkrimi në “Amazon”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb