Mrekullitë natyrore të Shqipërisë janë të shumta por padyshim një prej më kryesoreve të saj është Dumreja e njohur si një nga perlat karstike më të bukura të Mesdheut. Dhurata më e çmuar që natyra i ka bërë kësaj zone janë 84 liqenet karstike dhe pozicioni i shkëlqyer gjeografik e tepër i favorshëm i saj për tu zhvilluar në të gjitha aspektet dhe mbi të gjitha për tu bërë një zonë e lakmueshme si nga turistët por edhe për biznesin. Për atë që dëshiron të shohë nga afër mrekullitë që natyra i ka falur zonës së Dumresë nuk është aspak e vështirë që të shkojë deri atje nga të gjitha drejtimet. Një nga rrugët më të preferuara është ajo tradicionalja.


Pasi ke kaluar Elbasanin nëpërmjet unazës së qytetit që vijon me kryqëzimin e Cërrikut nuk duhen më shumë se gjysmë ore udhëtim që të futesh në zonën Dumresë Rrugën nga Elbasani deri në qytetin e Cërrikut e përshkon vetëm në disa minuta dhe përgjatë saj sheh jo vetëm vilat e panumërta por edhe ferma bujqësore që begatojnë jetën e familjeve të kësaj ane.

Më tej kur kalon qytetin e Cërrikut sapo rruga hyn në fshatin Shalës fillon e prek nga afër mrekullitë që nëna natyrë i ka falur kësaj zone që është vetëm 25 km larg Elbasanit dhe 70 km larg Tiranës .Përgjatë rrugës që të çon në qendër të bashkisë së Belshit janë ngritur disa lokale që frekuentohen së tepërmi nga mysafirët e Dumresë. Ato pothuajse janë që të gjitha lokale luksoze dhe në to nuk mungon asgjë që gjen në zonën urbane. Për fatin e mirë edhe shërbimet që ofrojnë lokalet përgjatë rrugës që të çon drejt Belshit janë të një kualiteti që gjithkujt i lë një përshtypje të mirë e jo më kur shijon gatimet tradicionale e sidomos gatimet tradicionale të zonës si dhe peshkun e liqeneve të Dumresë të pjekur në zgarë e plot mishra të llojeve të tjerë.

Gatimi cilësor dhe shërbimi i kulturuar në to të bëjnë të çlodhesh e ta marrësh rrugën plot energji e freski për në drejtim të qytetit të Belshit dhe jo vetëm. Rruga aktuale ende është në përfundim dhe fatmirësisht aty po punohet intensivisht për rikonstruksionin e plotë të saj dhe parashikohet që gjithçka të përfundojë ndoshta nga vjeshta e këtij viti duke e shndërruar atë më së fundit në një rrugë të standardeve të kohës. Ky investim i shumëpritur nga komuniteti i kësaj zone do t’i japë zhvillimin e munguar ndër vite Dumresë , pasi mungesa e një rruge të mirë ishte kthyer në një torturë të vërtetë për të gjithë ata që jetojnë në këtë zonë kaq të begatë dhe me pasuri të shumta.

Gjithkush që i shikon nga afër tërë ato mrekulli që të ofrojnë liqenet e shumtë karstikë i vjen keq që nuk është bërë ajo që duhej kohë më parë për këtë zonë. Por tani askush nuk dëshiron më të flasë për të kaluarën. Gjithkush mendon se sa shpejt do të zhvillohet kjo zonë në të ardhmen e afërt. Optimizmi mbizotëron kudo dhe te të gjithë. Belshakët janë njohur historikisht si punëtorë dhe ambiciozë për të ndërtuar një jetë sa më me standarde të larta.

Me punë dhe falë edhe emigracionit kanë arritur që shumica e tyre të kenë ndërtuar një jetë mjaft të mirë. Kudo ndeshesh me shtëpi e vila pa fund nga më luksozet. Në këtë zonë si askund tjetër në fshatrat e Shqipërisë tundohesh për të pasur një banesë sepse jetesa ka standarde të mira dhe sidomos bukuritë natyrore që i prek nga do që të shkosh të magjepsin.

Belshi të shfaqet mjaft piktoresk nga kthesa e rrugës që të çon në qendër të tij. Liqeni në buzë të tij dhe vilat e reja të banorëve të rinj e të vjetër e kanë bërë edhe më të bukur atë. Rreth dy vite më parë jo çdo gjë shkonte ashtu sikurse duhet për sa i takonte kritereve të zhvillimit të sektorit të ndërtimeve në breg të liqenit. Vetë banorët ishin të ndërgjegjshëm se bregu i liqenit të Belshit ku ndodhet edhe qyteza me të njëjtin emër duhej të çlirohej nga ndërtesat shumëkatëshe prej betoni themelet e të cilave ishin të ngritura në cektinën e tij.

Krahas kësaj banorët ishin të alarmuar edhe për shkallën e lartë të ndotjes së ujërave të liqeneve për zbutjen e të cilës aktualisht po tregohet kujdes maksimal.
Qendra e Belshit tashmë është transformuar plotësisht dhe i ngjan një qendre të një qyteti modern.

Liqeni i vogël karstik në zemër të Bashkisë së re në Belsh dhe mjedisi përreth, pas një rrënimi e braktisjeje çerekshekullore janë transformuar në hapësirë publike me shije dhe cilësi europiane.

Punimet që filluan në javën e fundit të Gushtit të vitit 2016 zgjatën rreth 8 muaj dhe sipas këtij projekti e gjithë pjesa buzë liqenit të qytezës është çliruar nga ndërtimet pa kriter dhe është shndërruar në hapësirë publike për qytetarët. Aty gjatë ditës dhe sidomos në mbrëmje pjesa më e madhe e banorëve të qytetit dhe nga zonat përreth kalojnë kohën e lirë në mënyrën më të mirë të mundshme. Çdo banor i Belshit dhe Dumresë ndjehet krenar për këtë transformim rrënjësor që i është bërë qendrës së kësaj qyteze.

Dumreja është një zonë tepër e njohur dhe nga më të mëdhatë në Shqipëri. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 21.500 hektarë ku më se 3% të saj e zënë liqenet karstike numri i të cilëve shkon në 84. Zona e Dumresë shtrihet midis lumenjve Devoll në jug dhe Shkumbin në veri dhe fillon aty ku mbaron fusha e Pazhokut në Cërrik dhe përfundon atje ku fillon fusha e Myzeqesë. Vend ndodhja në kryqëzimin e rrugëve më të rëndësishme që lidhin fushën e Elbasanit me Myzeqenë, luginën e Devollit me luginën e Shkumbinit dhe malësitë për rreth Vërcë, Sulovë, Shpat, Peqin dhe Kërrabë ka favorizuar ndërveprimin e kulturave dhe gjeneruar vendbanimet historike e hapësirat jetike të saj.

Belshi kryeqendra e zonës së Dumresë, 25 km larg Elbasanit ,70 km larg Tiranës.
Kryeqendra tradicionale e zonës së Dumresë është Belshi dhe rilindësi i madh Sami Frashëri e kishte projektuar që ai të ishte kryeqyteti i Shqipërisë.

Argumentet e këtij personaliteti të shquar edhe sot e kësaj dite nuk ka arritur dot kush ti hedhë poshtë pavarësisht se ka kaluar një kohë kaq e gjatë që kur ai e bëri publike një ide të tillë. Sipas Sami Frashërit, ideja e tij për të qenë Belshi kryeqytet i Shqipërisë ishte nxitur nga fakti se kjo zonë është kërthiza e vendit tonë dhe se bukuritë natyrore të saj janë vërtetë të pazakonta. Imagjinoni një kryeqytet me 85 liqene karstike ku njëri është më i bukur se tjetri.

Sipërfaqet e këtyre liqeneve janë afro 14.2 km2 me një aftësi ujëmbajtëse 26 milion m3. Edhe më të bukur këtë zonë e bën ekzistenca e kodrave të rrumbullakosura e me lartësi të njëjtë që ndahen nga njëra tjetra nga lugina të vogla, qafa e gropa të cilat i kanë dhënë pllajës së Dumresë një pamje të valëzuar që e bën atë mahnitëse.

Qendra e Dumresë sa vjen e popullohet më dendur nga banorët e krahinës pasi ajo ka filluar të zhvillohet me ritme të kënaqshme. Belshi së fundi ka filluar të vizitohet edhe nga turistët vendas e të huaj dhe shumë shpejt vendasit besojnë se Kryeqendra e Dumresë do të “pushtohet” nga turistët pasi e meriton këtë si një nga perlat karstike të Mesdheut.

Por banorët e kësaj qyteze sidomos ata që merren me biznes mendojnë se kjo do të jetë një realitet që i takon një kohe të afërt. Belshakët ende thonë me mburrje:-Sikur të ishte respektuar propozimi i rilindësit të shquar Sami Frashëri dhe Belshi të ishte sot kryeqyteti i Shqipërisë ai do ishte nga më të bukurit në botë. Por sot për sot rëndësi për ta ka që Belshi të shndërrohet në një qytet dinjitoz dhe ku të këtë zhvillim ekonomik mjaft të madh pasi potencialet e tij janë të shumta.

Edhe artistët belshakë ndjehen mjaft të lumtur që vendlindja e tyre është kthyer aktualisht në një destinacion turistik. Fiqiri Kasa një skulptor i njohur ndjehet krenar për vendlindjen e tij dhe përpiqet që të japë kontributin e tij në fushën ku punon për promovimin e vlerave të kësaj zone dhe në fuqizimin e komunitetit të artistëve të zonës së Dumresë.

Bukuritë përrallore të liqeneve karstike të Dumresë
Zona e Dumresë dhe kryeqendra e saj Belshi në Shqipëri dhe jashtë saj identifikohen për shkak të numrit të madh të liqeneve karstike që gjenden në të. Sipërfaqja e përgjithshme e tyre arrin në 770 hektarë. Vëllimin më të madh të ujit në to e ka liqeni i Merhoes me 11,3 milion metër kub. Po kështu të mëdhenj konsiderohen edhe liqeni i Çestinjës me 97 hektarë, Seferani 87,5 hektarë, i Degës 37,5 hektarë ndërsa më i vogli është liqeni i Çartallozit me 0.5 hektarë. Ndërsa më të thellë janë Merhoja 61 metra, Peraska 51 metra, Çërraga 29 metra , Seferani 20.8 metra etj dhe thellësia më e vogël zbret në 10 metra.

Karakteristikë e liqeneve karstike të Dumresë është se ato janë liqene me regjim shiu dhe mbushja me ujë e gropave të tyre përgjithësisht bëhet nga rrjedhja e përkohshme sipërfaqësore. Gjatë stinës së verës ndodh që afro 20 liqene të thahen përkohësisht.

Këto liqene kanë tejdukshmëri të vogël dhe në thellësinë 15 m në disa prej tyre vihen re shenja të acidit sulfhidrik.

Në liqenet e Dumresë gjendet me shumicë edhe torfa e cila është një depozitim organogjen i karbonizuar. Ndërkohë që të gjitha këto liqene janë shumë të përshtatshëm për zhvillimin e florës dhe faunës ujore e bregliqenore.

Bashkia Belsh, bashki tërësisht rurale
Belshi është një nga të paktat bashki të reja të cilat shtrihen tërësisht në zona rurale. Bashkia e re e Belshit kufizohet në veri me bashkinë Peqin, në lindje me bashkinë Cërrik, në jug me bashkinë Kuçovë dhe në perëndim me bashkinë Lushnje. Sipërfaqja e bashkisë së re është 196.44 km2. Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Belsh, Grekan, Kajan, Fierzë dhe Rrasë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Elbasanit dhe qarkut të Elbasanit.

Bashkia e Belshit ka nën administrimin e saj një qytet dhe 34 fshatra. Bashkia e re e Belshit shtrihet pothuajse tërësisht në pllajën kodrinore karstike të Dumresë, një zonë kodrash të buta me bazë gëlqerore mbi të cilat është krijuar një panoramë piktoreske me 85 liqene karstike me një sipërfaqe të përgjithshme prej 14.2 km2.

Kodrat e Dumresë në përgjithësi janë të mbuluara me pyje dushku, por pjesa më e madhe e pyjeve u prenë gjatë kohës së komunizmit për të krijuar hapësirë për toka buke. Një pjesë e banorëve të kësaj zone janë zhvendosur në të kryesisht nga rrethi i Gramshit në periudhën e mbretit Zog, por edhe pas çlirimit të vendit.

Belshi është një bashki tërësisht rurale me produkte të diversifikuara nga blegtoria te zarzavatet dhe bostanoret, por një numër fermerësh janë përqendruar më së shumti te kultivimi i duhanit, për të cilin janë të specializuar. Për shkak të terrenit kodrinor, cilësia e tokës dhe aksesi në ujitje është i variueshëm, gjë që ka sjellë edhe parcelizim tepër të lartë të tokës që iu shpërnda familjeve fermere në vitin 1991. Një pjesë shumë e madhe e familjeve e kanë tokën të ndarë në katër apo pesë parcela në distancë të konsiderueshme nga njëra-tjetra, gjë që rrit kostot dhe mundin e këtyre familjeve për kultivimin e të gjithë sipërfaqes së tokës së punueshme. Një pjesë e këtyre tokave, veçanërisht atyre të hapura për kulturat bujqësore pas viteve 1970, kanë rendiment të ulët për shkak të mungesës së aksesit në vaditje. Rrjedhimisht në disa anë të bashkisë së re ka një tendencë për braktisje të tokës bujqësore, e cila ofron edhe një mundësi për rikthimin e pyjeve të dushkut, të cilat kanë gjithashtu leverdishmëri ekonomike, por në terma afatgjatë. Gjithashtu, në zonën e Kosovës ka burime të mermerit të kuq dhe gipsit, të cilat janë të pashfrytëzuara. Zona e Belshit ofron mundësi për ekoturizëm dhe agroturizëm.

Belshi në lashtësi
Belshi ose siç njihet ndryshe kryeqendra tradicionale e zonës së Dumresë është një vendbanim i lashtë që ndodhet në afërsi të liqenit me të njëjtin emër. Gërmimet arkeologjike në Gradishtë tregojnë jo më larg se 2-3 km tij ndodhet një vendbanim ilir i periudhës së mesmë të bronzit që u zhvillu pa ndërprerje në fazat e hershme të epokës së hekurit.

Belshi në shekullin e 4-tër p.e.s ishte qendër protourbane ndërsa në shekullin e I-rë p.e.s u kthye në qytezë të fortifikuar të krahinës së parthinëve. Jo shumë larg Belshit, në brigjet e Seferanit ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ku ushtrohej duke hedhur në ujin e liqenit enë terakota të bukura si dhurata për perëndinë.

Belshi edhe gjatë shekujve IV-VI të erës së re u rifortifikua me mure guri të lidhur me llaç. Më pas historia e tij ngjasonte me atë të vendbanimeve të vjetra fshatare.

Belshi mbijeton ne sajë të mrekullive të liqeneve
Në ditët e sotme të gjithë janë të bindur se Belshi ka mbijetuar në sajë të liqenit piktoresk që ndodhet pranë tij dhe të dhjetëra të tjerëve rreth e rrotull. Por mjerisht burimet jetëdhënëse të ekosistemit pranë tij gjatë viteve të tranzicionit gati u asfiksohen në mënyrë katastrofike për shkak të ndotjes dhe vetëm muajt e fundit kanë filluar përpjekje serioze pë rta frenuar këtë fenomen shkatërrues.

Një bukuri natyrore mahnitëse e Dumresë janë edhe zambakët e ujit, lekoi i bardhë dhe lekoi i verdhë. Ky i fundit rritet në gjirin e Degës, në atë të Seferanit, Turbullit dhe Stanit të Panjës. Ndërsa lekoi i bardhë rritet në gjolin e Rramanit, Turbullit dhe Seferanit.

Banorët e Belshit shprehen të vlerësuar nga qeveria për shkak të vëmendjes së treguar ndaj Belshit së fundi. Sipas tyre po bëhen përpjekjet maksimale në mënyrë që zonave përreth liqeneve karstike tu kthehet gjelbërimi dhe drurët dekorativë ashtu sikurse ka qenë kohë më parë por që në mënyrën më barbare u shkatërruan me kalimin e kohës.

Nëse do lejohej ende batërdia 20-vjeçare, vendasit bashkë me liqenin do të humbnin përgjithmonë edhe qytetin e tyre të rrallë.

Në njëfarë mënyre nga ana e drejtuesve të pushtetit vendor po shihet një tendencë e mirë për sa i takon ndërhyrjes me projekte për t’i dhënë gjithmonë e më tepër frymëmarrje kësaj zone tepër të bukur. Shtimi i financimeve qeveritare dhe jo vetëm ka sjellë zhvillim të shpejtë të saj duke shtuar përfitimet gjigande që mund të vjelë nga turizmi një zonë e tillë si Dumreja që do ta kishte zili gjithkush ta shihte të bukur e të pasur sepse ka një pasuri natyrore të falur nga natyra që nuk gjendet gjëkundi tjetër në pellgun e Mesdheut. Vënia në mbrojtje të shpejtuar dhe rritja e kujdesit për gjenerimin e ekosistemeve liqenore dhe bregliqenore do të shmangte rrezikun e dëmtimit përfundimtar të kësaj natyre të rrallë që ka mundur të mbijetojë. Sipas drejtuesve të pushtetit vendor janë përcaktuar disa nga përparësitë ku duhet të përqendrohet realizimi i investimeve në zonën e Dumresë në të ardhmen.

Kështu sipas tyre është më se e nevojshme që të rikthehet tradita e vreshtarisë si dhe të shtohet kultivimi i duhanit dhe të çdo kulture bujqësore që sjell të ardhura të mëdha.

Kryetari i Bashkisë së re të Belshit, Arif Tafani është një nga drejtuesit më të njohur të pushtetit vendor në Qarkun e Elbasanit. Ai ka drejtuar bashkinë e këtij qyteti në tri mandate më herët dhe sërish tri vite më parë është mandatuar nga ata sërish për ta qeverisur këtë bashki.

Për z.Tafani përgjegjësia si kryebashkiak sikurse thotë vetë ai, është jashtëzakonisht e madhe pasi pritshmëritë e komunitetit janë të shumta.

Ai thekson se gjatë këtij mandati shumë është bërë por mbetet edhe shumë për tu bërë pasi historikisht kjo zonë është lënë në harresë nga të gjitha qeveritë e mëparshme. Por pavarësisht problemeve të shumta që ka trashëguar kjo zonë, kryebashkiaku i Belshit Arif Tafani është mjaft optimist për të ardhmen dhe ai beson se Belshi dhe e gjithë Dumreja do bëhen ashtu sikurse e duan ta shohin këtë zonë banorët e saj. Kryebashkiaku Arif Tafani tregon se bashkia që ai drejton ka hartuar projekte pafund për zhvillimin e të gjithë sektorëve ekonomikë të zonës por mbi të gjitha ato të fushës së Turizmit po shihen më me përparësi pasi ky sektor vlerësohet si më i rëndësishmi dhe më fitimprurësi për Belshin dhe gjithë Dumrenë.

Produktet me leverdi në Belsh dhe tradita e mbjelljes së duhanit
Me shumë leverdi konsiderohet për banorët e kësaj zone edhe kultivimi i bimëve etero-vajore, mbarështrimi i gjedhit, kultivimi i ullirit, rritja e shpendëve, bletaria, industria agroushqimore, peshkimi, turizmi etj. Nga ana e pushtetit vendor duhet që të punohet më shumë për sa i takon zhvillimit të sigurt të zonës. Në vitet e fundit është bërë fare pak në këtë drejtim.

Tradita e mbjelljes së shafranit, një risi në Dumre
Në Dumre është krijuar tradita e mbjelljes së bimës së shafranit, një prej erëzave më të shtrenjta në botë që prej pak kohesh po kultivohet në Dëshiran të Bashkisë së Belshit. “Zafferano di Dumre” është prodhimi më i ri “made in Albania” që kultivohet në Dëshiran të Belshit. Një familje nga ky fshat është e para që ka eksperimentuar mbjelljen e bimës së rrallë falë lidhjes me një sipërmarrës italian, i cili vendosi të investojë në Shqipëri dhe pikërisht në Dumre për të rritur shafran të cilësisë së parë.

Fillimisht familja nga Dëshirani eksperimentoi me 100 bimë, më pas me një sipërfaqe më të madhe dhe sot ka 3 dynym. Një kilogram produkt shkon deri në 6 mijë euro. Por nuk do të jetë e largët dita ku Dumreja do të kthejë sytë nga erëza magjike me vlera të mëdha ushqimore, shafrani, që tashmë është kthyer në markë “Zafferano di Dumre”.

Madje gjatë fushatës se fundit elektorale për zgjedhjet parlamentare figura të njohura të politikës u bënë thirrje banoreve të zonës së Dumresë që të kultivojnë shafranin në mënyrë masive sepse do të mund të sigurojnë të ardhura të shumta, ndërkohë që kjo zonë ka si traditë të hershme të saj kultivimin e duhanit.

Fauna e liqeneve të zonës së Dumresë është e pasur me peshq të llojeve të ndryshme, por së fundmi, me vendosjen e moratoriumit të gjuetisë janë shtuar dhe shpendët ujor që dimërojnë në ujërat e ngrohta të liqeneve.

Sipërfaqja e tyre e përgjithshme është rreth 640 ha, ndërsa aftësia ujëmbajtëse 26 milion m3 ujë, që përdoret nga fermerët edhe për vaditjen e kultivimeve të tyre gjatë verës. Janë liqene kryesisht me regjim shiu, që mbushen nga reshjet që bien. Disa nga liqenet më piktoreskë janë ai i Belshit, Merhojes, Seferanit, Liqeni i Kuq, i Paraskës, i Marinzës, etj.

Rreth 26 nga liqenet e zonës së Dumresë shfrytëzohen për peshkim të kontrolluar e të menaxhuar profesionalisht për mos dëmtimin e rasateve dhe faunës nënujore. Peshku i kapur konsumohet tërësisht nga banorët e zonës ose dhe në qytetin e Elbasanit.

Belshi dhe liqenet e tij kanë edhe një histori të vjetër e të lashtë qytetërimi. Belshi të befason dhe me vlerat historike dhe arkeologjike të tij. Në qendër të historisë qëndron kalaja e Gradishtit, historia për princin ilir të Belshit, gjurmët dhe ritet e Afërditës ilire të periudhës helenistike të Belshit.
Gradishta është një fshat i zonës dhe e ka historinë e vet që nga periudha e mesme e bronzit.

Është quajtur dhe “Akropoli” i Dumresë, me një e lartësi 180 m mbi nivelin e Detit nga ku Dumreja shihet si në pëllëmbë të dorës. Gradishta ka vlerë monumentale jo vetëm natyrore, por edhe arkeologjike. Në shek. VI p.es. ishte qendër urbane, ndërsa në shek.. IV-I p.e.s. u kthye në qytezë të fortifikuar të krahinës së fisit ilir të parthinëve. Në perëndim të qytezës, në liqenin e Seferanit, ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej duke hedhur në ujë enë e terrakota si dhurata për perëndeshën.

Është kjo arsyeja që herë pas here edhe sot zhytësit gjejnë në fundin e liqeneve relikte të rralla terrakote. Duke njohur historinë e lasht të kësaj treve, ka pas një ide të Sami Frashërit që qyteza e Belshit të ishte kryeqytet i Shqipërisë.

Por, Belshi me liqenet e tij të panumërta, me kodrat e buta e të pyllëzuara, me resurset e mëdha natyrore dhe me njerëzit e tij punëtorë, mund dhe duhet të bëhet dhe një qendër mjaft e vizitueshme turistike.

“FESTA E AFËRDITËS” NË BELSH
Belshi është një atraksion turistik natyror i padiskutueshëm dhe bukuritë e tij po promovohen me te gjitha mjetet dhe format. Këtij qëllimi i shërben edhe “Festa e Afërditës”, një festë kjo e organizuar sivjet për herë të parë nga Bashkia e Belshit në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes, dhe “Tourism Investment and Financial Fund” mbështetur nga SIDA dhe USAID që synon të kthehet në event të përvitshëm dhe të tërheqë sa më shumë turistë. Dikur (në lashtësi) faltorja e Afërditës ndodhej jo larg liqenit të Seferanit, në të cilin hidheshin enë, terrakota si dhurata për perëndinë në ushtrimin e kultit të saj.

Qeramika me kokën e Afërditës zinte vend të veçantë në kultin e banorëve të qytetit ilir të Belshit. Afërdita ilire e periudhës helenistike të është e njohur jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij.

Në liqenin e Seferanit është ndërtuar rruga dhe një amfiteatër i vogël dhe në sheshin përballë amfiteatrit tashmë qëndron vetë bukuria mbi tokë, perëndesha Afërditë.

Statuja e Afërditës ose sikurse i thonë vendasit Perëndesha e Dashurisë është kthyer në një tempull për vendasit. Sipas z.Arif Tafani, Kryetari i bashkisë së Belshit vendosja e statujës së Aferditës në këtë vend është mjaft interesante.

Festa e Afërditës, ose Dashurisë, të zhvillohet çdo vit në Belsh dhe do të bëhet një ditë e qëndrueshme, ku të kenë mundësi të vijnë turistë nga i gjithë vendi.

Një vlerë e shtuar për rajonin është edhe projekti i përuruar pak kohë më parë i Rrugës së Biçikletave rreth Liqenit Seferan, një projekt i bashkë-financuar nga MZHETTS, USAID, Ambasada Suedeze dhe Ministria e Zhvillimit Urban. Këto projekte i japin më shumë vëmendje, më shumë promovim zonës së Dumresë, për ta kthyer atë në një atraksion turistik. Pjesë e promovimit te bukurive natyrore të Dumresë gjatë kësaj vere ishte edhe organizimi i një ekspozite nga Instituti i Librit dhe Promocionit ‘Dumreja ne Telajo’ me kolonitë e piktoreve të ndryshëm që vizituan zonën dhe krijuan pikturat e tyre me bukuritë e zonës së Dumresë.

Buzë liqenit të Belshit zhvillohen gjithnjë e me shume koncerte ku ftohen artistë të njohur të muzikës popullore dhe ansamble vallesh të zonës së Dumresë. Vitin e ardhshëm do të mbahet edhe Festivali Ndërkombëtar i Balonave i cili do të mund të shërbejë gjithashtu për promovimin e turizmit të kësaj zone.

KUZHINA DHE GATIMET TRADICIONALE NË ZONËN E BELSHIT
Turistët vendas dhe ata të huaj që zgjedhin të vizitojnë zonën e Dumresë nuk do të zhgënjehen nga kuzhina tradicionale e kësaj zone. Kohët e fundit vendasit po tregojnë kujdes që cilësia e saj t’i përgjigjet kërkesave të klientëve.

Sali Rusta një prej kuzhinierëve të njohur të Grekanit në këtë zonë tregon për disa prej ushqimeve që ai u ofron klientëve.

Ndër to ai veçon kalastrenë, qumështorin, asuden, byrekun me spinaq, byrekun me gjizë, djathin e shijshëm të Topojanit, ajturin me kajmak, ajturin me lakra, tavën e peshkut me perime, mishin e qengjit, mishin e kecit të pjekur në hell etj.

Ndërkohë që Gëzim Paja është një banor autokton i Dumresë i cili pasi është kthyer nga emigracioni i gjatë ka ngritur një biznes në vendlindjen e tij. Ai tashmë është administrator i një biznesi në fushën e Agroturizmit dhe shpreson se do jetë një histori suksesi në këtë aspekt pavarësisht vështirësive.

Ndërkaq vlen të përmendet edhe puna e grave belshake të cilat cilësohen duararta. Ato prodhojnë produkte që për nga shija dhe cilësia si gjen dot kudo. Produktet blegtorale dhe bujqësore të zonës së Dumresë janë mjaft cilësore dhe tepër të shijshme. Cilido që e viziton këtë zonë në pjesën më të madhe të vitit ka rastin për të blerë dhe marrë me vete, produkte nga më cilësoret të prodhuara në mënyrë artizanale. Ndër to veçohen kompostoja dhe reçeli prej kumbulle, pjeshke, kajsie, thane, frutat e thata prej kumbulle, molle, thane, lajthi, perime të konservuara dhe të thata, si domate, speca, lakra etj. Dumreja shquhet edhe për prodhimin e disa lloje pijesh alkoolike të tilla si rakia prej rrushi, kumbulle, mani, vera të llojeve të ndryshme. Në Dumre prodhohet edhe pekmezi, pistili, glikoja dhe lëngje frutash prej molle, thane, mani, kumbulle etj,. Mjaft cilësor nga produktet e kësaj zone është edhe vaji i ullirit, ullinjtë e konservuar, djathi stopani (ose djath peshku), djathi i Topojanit, kosi, gjiza, trahanaja, verërat, mjalti , uthulla etj. Që të gjitha këto prodhime bio po tërheqin edhe vëmendjen e turistëve të huaj që jo vetëm i shijojnë kur vizitojnë Belshin por edhe blejnë prej tyre. Rritja e kërkesës po nxit edhe rritjen e prodhimeve të tilla nga vendasit.

BUJTINAT
Fondi investimeve në turizëm në zonën e Dumresë dhe veçanërisht në fshatin Seferan po investon ne hapjen e bujtinave dhe restoranteve si dhe po trajnon banoret e Dumresë se si ata të shërbejnë në turizëm dhe si të përshtatin banesat e tyre në shërbim të këtij biznesi fitimprurës. Investimet e fundit në Belsh dhe në zonën e Dumresë kanë pasur një impakt pozitiv shpjegon Ferat Mekshi menaxher në fushën e Turizmit.

Në Seferan turistët do të gjejnë bujtina komode dhe ushqim të shëndetshëm. Në Dumre turistët mund të ushtrohen në sporte të shumëllojshme turistike dhe kulturore pasi terreni është i përshtatshëm për çiklizëm, për shëtitje në natyrë si në brigjet e liqeneve karstikë, në pyje, në lumë, në kodrat e bukura dhe fushat e mbjella të fshatrave të kësaj zone.

Etnografia në Dumre
Zona e Dumresë veç historisë ka edhe një kulturë të pasur, e cila shprehet në larminë e valleve dhe këngëve karakteristike të kësaj zone. Këngët e zonës së Belshit këndohen me iso në grup, polifonike por edhe njëzëshe. Ndërsa, vallet përfaqësojnë pasurinë e çmuar të zonës së Belshit. Rreth 23 valle përbëjnë këtë pasuri të jashtëzakonshme, duke e kthyer Belshin në një vatër autoktone të koreografisë popullore. Zona e Dumresë ka edhe veshjen e saj karakteristike. Zona veçohet për 5 kostume karakteristike, të cilat ende prodhohen në kushte artizanale, tezgjah. Çdo familje belshake ruan kostumet e veta popullore, të cilat i përdorin në raste festash e ditë të veçanta. Orkestrinat popullore janë karakteristike për komunitetin, ndërsa instrumentet që luajnë në unison janë dajrja, violina, mandolina dhe fizarmonika.

Dumreja, dikur vend i të internuarve
Gjatë kohës së regjimit komunist, Belshi, Dushku, Xheria, Dragoti, Kosova u shndërruan në vendbanime persekutimi për të internuarit, të njohur ndryshe si “armiqtë e pushtetit popullor” të kohës. Në Kosovë të Belshit funksiononte burgu për gratë e dënuara. Ku burg është i njohur, sepse kur u hap në fillim aty u burgosën gra që ishin “armike të pushtetit popullor”, të cilat punonin në fermën bujqësore të Ndërmarrjes Bujqësore të Belshit si të internuara. Më pas në këtë burg kanë vuajtur dënimin për politikë gra nga Rusia, Bullgaria etj. Në Dumre ka qenë e internuar për rreth një vit edhe Fiqiret Shehu, gruaja e ish-kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë komuniste në detyrë Mehmet Shehu me dy djemtë Bashkimin dhe Skënderin.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, 74 vite më parë, u shpëtohet jeta 30 ushtarakëve amerikanë në Çestije të Belshit
Me 8 nëntor 1943 në Çestije të Belshit, në Elbasan ra një avion amerikan transporti Dakota C-53 i cili ishte nisur, bashkë me dy të tjerë, nga Katania e Sicilisë në drejtim të Barit të Italisë. Por për shkak të një stuhie, që e zuri në ajër, ishte ndërprerë ndërlidhja me bazën dhe pas 5 orë fluturimi të shqetësuar mes reve, ishte gjetur një vend i sheshtë ku avioni u ul me zhurmë. Avioni amerikan ra në Çestije të Belshit ndërsa Shqipëria ishte e pushtuar nga gjermanët të cilët e kishin gjuajtur avionin amerikan kur kishte kaluar mbi Kuçovë dhe menjëherë ishin sulur drejt vendit ku ai kishte rënë. Por, para tyre, kishin arritur banorët e fshatit Çestije te Belshit dhe një grup partizanësh, të cilët e dogjën avionin dhe pasagjerët dhe ekuipazhin i morën në mbrojtje. Banorët e Çestijes i fshehën dhe i mbajtën në shtëpitë e tyre ushtarakët amerikanë dhe nazistët e gjetën avionin e djegur kur mbërritën aty i cili kishte pasur në bordin e tij 30 vetë, prej tyre 13 infermiere të skuadrës së evakuimit ajror, (të gjitha nëntogere) 13 sanitarë (burra) dhe ekuipazhi prej 4 vetësh. Por amerikanët nuk mund të qëndronin aty dhe përshkuan nëpër Shqipëri 800 milje rrugë për 62 ditë të shoqëruar dhe siguruar nga forcat partizane dhe populli.

Nga Belshi, grupi 30 prej veta i amerikanëve fillimisht arriti në Beratin e lirë, asokohe ku qëndruan gati dy javë. Për fatin e tyre ishte i informuar edhe Presidenti i SHBA, Rusvelt, i cili kishte kërkuar veçanërisht gjetjen dhe evakuimin e grupit të vajzave dhe djemve të rënë në Shqipëri dhe e monitoronte çdo ditë situatën e tyre. Historia interesante e 30 amerikanëve në Shqipëri që shpëtuan mrekullisht në sajë të ndihmës së partizanëve dhe të popullit te Belshit, ose ndryshe “aventura shqiptare” e tyre spikat për dramacitetin e saj, flet shumë për pritjen miqësore aq karakteristike të shqiptarëve.

Kjo histori mbeti e panjohur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo ngjarje interesante e ndodhur 74 vjet më parë ishte një mesazh miqësie në kohë lufte. Ajo flet më së miri për ndjenjat miqësore të belshakëve e popullit shqiptar për SHBA, por edhe për lidhjet e bashkëpunimin në kuadrin e koalicionit të madh antifashist Botëror duke demonstruar ndjenjat e tij thellësisht miqësore ndaj demokracive perëndimore në shumë mënyra dhe në shumë raste duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Në shenjë mirënjohje ndaj këtij akti në vendin ku ra ky avion amerikan pritet të ngrihet një memorial që do simbolizojë këtë mirësi të belshakëve ndaj popullit dhe ushtarakëve amerikanë. Ndërsa në Merhoje, shtëpia e Zenajve do të kthehet në muze kushtuar kësaj historie mjaft të lavdishme të popullit të kësaj zone që ka marrë vëmendjen e amerikanëve që nga presidenti Rusvelt deri në ditët e sotme.

Dumreja nga vend i harruar është duke u kthyer në një destinacion i rëndësishëm për turizmin
Turizmi në Dumre është cilësuar për momentin si nga sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekomomik që po krijon më shumë punësim dhe mirëqenie. Belshi dhe Dumreja padyshim që kanë burime natyrore të bollshme të cilat po shndërrohen në asete turistike me potencial të lartë.

Nga ana tjetër ky zhvillim i gjithanshëm i kësaj zone po shoqërohet edhe me ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme rrugore sikurse është ndërtimi i Boshtit të Qendrës, Berat-Kuçovë-Belsh-Cërrik-Elbasan-Tiranë si dhe rikonstruksioni i rrugës Belsh-Lushnjë.

Mirëmbajtja e tyre në gjendje të mirë pune, pas disa muajsh do të bëjnë që të gjitha rrugët e Shqipërisë së mesme të kryqëzohen në Belsh për shkak të pozicionit të tij gjeografik. Prandaj Belshi dhe e gjithë zona e Dumresë tashmë është duke u kthyer në një destinacion mjaft të rëndësishëm për turizmin.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: