Ndodhi sërish, një i ri vdiq në duart e policisë, ndërroi jetë pasi u ndoq dhe u kap nga policia. Të gjithëve na u kujtua Klodian Rasha, ngjarje që u rikthye sërish në memorien tonë sot, por me një emër tjetër Laer Kurtin, një i ri që tashmë nuk jeton. Por çfarë ndodhi në të vërtetë në mbrëmjën e mistershme të së mërkurës së 20 tetorit. Në rrethana ende të paqarta dhe të pasqaruara me fakte dhe prova bindëse nga autoritetet 32-vjeçari Lear Kurti ndërroi jetë teksa policia i kërkoi të ndalonte në një kontroll rutinë. Por si e njoftuan ngjarjen autoritetet përgjegjëse? Njoftimi i parë i AMP për ngjarjen ka mospërputhje me vetë njoftimin e tyre të dytë. Në njoftimin e parë AMP bën të ditur se 32-vjeçari është ndjerë keq në ambientet e komisariatit dhe më pas është dërguar në spitalin e Traumës ku sipas AMP ka ndërruar jetë aty, por spitali i Traumës e hodhi poshtë këtë pretendim duke deklaruar se i riu mbërriti pa shenja jete në spital. Po ashtu në njoftimin e dytë AMP thotë se në vendin e ngjarjes, aty ku Lear Kurti u ndalua ka qëndruar 7 minuta pasi është qetësuar dhe më pas është shoqëruar në komisariat dhe aty është ndjerë keq dhe AMP vijon duke thënë se u dërgua në spital aty ku është konstatuar edhe vdekja e të riut. Pra, në njoftimin e dytë AMP nuk deklaron më që i riu ndërroi jetë në spital, siç kishte deklaruar në njoftimin e parë, ku nuk thuhej as që i riu ka qëndruar 7 minuta në vendin që u ndalua për t’u qetësuar. Lind pyetja, pse duhej të qetësohej, çfarë kishte 32-vjeçari kur u ndalua, cfarë ndodhi me të? Ngjarja ende nuk është zbardhur e plotë dhe është e paqartë pse 32-vjeçari ndërroi jetë, cfarë pësoi dhe cilat ishin këto probleme shëndetësore që shfaqi sipas AMP?.

Ngjarja kërkon një hetim të thellë dhe transparent, që nga nisja e patrullës së policisë për të ndaluar 32-vjeçarin deri në momentin që u dërgua në spitalin e Traumës.

Kur çdo njeri mund të ngrejë dyshime për ngjarjen, disa pyetje kërkojnë përgjigje.
1-Pse AMP deklaroi që i riu ndërroi jetë në spital? Pse ky nxitim në deklarata nga AMP?
2-Pse i riu u dërgua në spitalin e Traumës që është për fraktura dhe nuk u dërgua në Urgjencë.
3-Pse Lear Kurti nuk u dërgua më parë në spital, por në komisariat?
4- Pse i riu duhet ta gëlltiste dozën e lëndës narkotike që pretendon AMP dhe prokuroria? Nga se shpëtonte se do gëlltiste lëndën narkotike, ku shumë mirë mund ta hidhte edhe në tokë?
5-Pse i riu duhej të qëndronte 7 minuta të qetësohej në vendin që u ndalua nga policia? Çfarë ndodhi gjatë ndalimit të tij?
6-Pse AMP dhe prokuroria nuk e thonë në njoftim se në çfarë ore u dërgua në spitalin e Traumës i riu, sa kohë u deshën nga ndalimi deri të dërgimi në komisariat dhe më pas në spital?
7- Ekspertiza thotë që nuk ka shenja dhune në trupin e të riut. Po goditje në trup, a ka pasur?
8-Si u bë ekspertiza mjeko-ligjore pa kaluar 12 orë? Pse ekspertiza u bë nga një ekspert dhe jo nga disa?
9- A kanë pasur kamera në trup efektivët, pse nuk mbahen më kamerat nga efektivët në trup që çdo ngjarje e tillë të zbardhet më transparencë?
10-Pse vdiq Lear Kurti në duart e policisë?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: