Pjesëtarë të stafit spitalor që kanë shpëtuar jetën e ish-agjentit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani, kanë thënë se nuk kanë pritur që do të mbijetojnë viktimat që i janë ekspozuar agjentit nervor.

Skripalët ishin gjetur pa ndjenja afër një stoli më 4 mars, mirëpo stafi që i kishte trajtuar ata në spitalin në Sallsbëri nuk kishte njohuri fillestare për shkakun e gjendjes së tyre.

Infermierja kryesore, Lorna Wilkinson ka thënë se momenti kyç ka qenë kur edhe polici, Nick Bailey ka pasur simptoma të njëjta.

“Kemi pasur shqetësime të mëdha për atë se sa larg mund të shkojë e gjitha”, ka thënë ajo.
Një tjetër pjesëtare e stafit spitalor, Sarah Clark, e cila ka qenë në detyrë atë natë, ka thënë për BBC-në se personeli ka qenë i shqetësuar rreth asaj nëse ka mundësi që edhe ata të preken nga substanca.

Ajo ka shtuar se në atë fazë “ata nuk kanë marrë ndonjë masë paraprake për të mbrojtur veten”.
Kur kanë kuptuar shkakun e gjendjes së Skripalëve, stafi spitalor ka thënë se nuk ka pasur ndonjë shpresë se pacientët do të shëroheshin ndonjëherë.

Mirëpo pas disa javësh të trajtimit, duke përfshirë edhe ndihmën e ekspertëve, Yulia fillimisht e më pas edhe Sergei janë liruar nga spitali për të vazhduar trajtimin në një adresë të panjohur për shkaqe të sigurisë, shkruan rel.

Për sulmin në fjalë Britania ka fajësuar Rusinë duke thënë se Skripalët janë helmuar me agjent nervor të gradës ushtarake, Noviçok. Rusia ka hedhur poshtë këto akuza, derisa është përballur me sanksione nga SHBA-ja dhe Perëndimi për këtë incident.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb