Mjeku i njohur, Arben Gjata, Rektor i Universitetit të Mjekësisë, foli për simptomat e koronavirusit dhe kujdesin që duhet të tregojnë pacientët, që ku jepen shenjat e para.

Mjeku theksoi në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, se të gjithë qytetarët duhet ta trajtojnë veten si me Covid, që në momentin që bëjnë tamponin, edhe pse përgjigjja mund të vonohet.

“Ka nevojë që qytetarët të bëjnë tamponë. Është e domosdoshme që ata të paraqiten te mjeku i familjes dhe nga momenti që bëjnë tamponin duhet ta konsiderojnë veten me Covid, pavarësisht se kur e marrin përgjigjen. Tamponi ka një besueshmëri 70%, por nuk do të thotë që ata nuk kanë Covid. Janë shenjat klinike që e tregojnë dhe mjeku i familjes iu jep mjekimin e Covidit”, u shpreh Gjata.

Më tej, Arben Gjata foli dhe për mjekët e familjes, për të cilët tha se duhet të bëjnë shumë kujdes që të mos abuzojnë me mjekimet që iu japin pacientëve.

“Mjeku i familjes e ka të qartë se si trajtohet pacienti me Covid. Nëse është faza e parë ose e lehtë e Covidit, pacientët konsiderohen si pacientë Covid dhe trajtohen me ilaçe që ulin temperaturën, lëngje dhe vitamina, pa pasur nevojë të përdorin antibiotikë. Nëse kanë disa ditë temperaturë dhe kanë shenja pulmonare është momenti kur mund të fillohen antibiotikët. Nëse ka vështirësi në frymëmarrje dhe ulje të oksigjenit është momenti që mund të fillohen dhe kortizenikët. Mjekët duhet të kenë shumë kujdes të mos abuzojnë, por ndonjëherë edhe familjarët vetë, që shkojnë direkt në farmaci e marrin ilaçe”, theksoi ai.
Për mjekun Gjata problemi kryesor dhe më shqetësues i këtij virusi është prekja e mushkërisë, që sipas tij, jep dëmtime serioze.

“Mund të ketë njerëz me 37 e gjysmë dhe të kenë probleme me frymëmarrjen, por mund të jenë dhe me 39 e të mos kenë probleme. Problemi kryesor është prekja e mushkërisë nga Covidi, që të jep dëmtime. I sëmuri duhet të bëjë analizat që ditën e parë, që përcaktojnë si është gjendja. Analizat duhen bërë cdo 3-4 ditë dhe mjekimi ndryshon në varësi të ekzaminimeve”, deklaroi mjeku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb