Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE – Edhe pse vetëm 19 vjeçe, i  ka të qarta qëllimet e saj. Për bukuroshen, parësore është karriera në modeling. Edhe kësaj bukurosheje nuk i kanë munguar ofertat për seks nga njerëz të rëndësishëm në shpërblim të një karriere të suksesshme, por Lindita duket se preferon të ecë e palëkundur në rrugën e saj. Tashmë një tjetër shqiptare është shndërruar në imazh të një kompanie të madhe si “Lacoste”. Ka zgjedhur Italinë për të zhvilluar karrierën si modele, duke u shprehur se profesioni që ka, paguhet shumë më mirë në pasarelat italiane sesa këtu. Është single, sepse nuk i pëlqen që mashkulli përkrah të jetë sponsori i saj, ashtu si modele të tjera bëjnë.
Si e ka nisur karrierën në modeling Lindita?
Në fakt kam qenë vetëm 16 vjeçe kur mora pjesë në “Miss Elbasani” dhe fitova. Që prej asaj dite vendosa që kjo do të ishte rruga që do ndiqja, dhe në fakt intuita nuk më gaboi. Më pas mora pjesë te “Miss Shqipëria”, ku dhe u përzgjodha nga italianët për fushatat e tyre. Ndërkohë, të shumta kanë qenë edhe fushatat e modelingut që kam bërë në Shqipëri dhe Kosovë, e më pas jam larguar në Itali, ku më janë besuar disa fushata të rëndësishme. Ndër të tjera në Napoli mora dhe kurorën “Miss Kontinental”, e më pas kam vijuar karrierën në Milano si modele.
Sa paguhen modelet në Itali, po në Shqipëri?
Në fakt, pagesat nuk është se kanë të krahasuar mes Shqipërisë dhe Italisë. Në Milano, ku unë dhe po zhvilloj karrierën, modelet fillestare paguhen diku te 800-900 euro. Ndërsa në Shqipëri, të gjithë e dimë se sa janë pagesat, ku më e larta është diku te 200 mijë lekë.
Si e kanë pritur italianët Linditën?
Në fillim e kisha shumë të vështirë, për shkak edhe të gjuhës, që nuk e dija mirë. Por italianët ishin shumë të interesuar për përmasat dhe pamjen time, ndaj dhe këmbëngulën që unë të isha aty. Më pas gjithçka ka vijuar krejt normalisht: unë kam bërë pjesën time të punës dhe ata kanë qenë korrektë në gjithçka karshi meje.
Ndërkohë jeni bërë edhe imazh i disa brandeve ndërkombëtare, jashtë; si erdhën këto oferta?
Faktikisht kam pasur shumë ftesa dhe shumë reklama, po këtu po përmend vetëm imazhin që jam aktualisht, i “Lacoste”. Është një kontratë shumë e mirë për mua dhe jam e lumtur që bukuria shqiptare tashmë po njihet edhe nëpër botë.
Si është e përditshmja e Linditës?
Kam një ditë sa të thjeshtë aq edhe të ngjeshur me punë. Zgjohem herët dhe merrem shumë me punën time. Në të përditshmen nuk përdor make-up dhe pëlqej të vishem sa më sport, që të jem komode. Kur kam kohë, më pëlqen ta kaloj me miqtë e mi.
A keni të dashur?
Jo, jam shumë e zënë këtë periudhë, kam nisur dhe një jetë të re në Itali, ndaj nuk kam kohë të mendoj për një lidhje tani. Prioriteti im është karriera. I dashuri tani do të ishte pengesë për mua. Ka dhe modele që i mbajnë të dashurit për të vazhduar karrierën e tyre, po mua s’më duhet një i tillë.
Njeh të tilla modele, që sponsorizohen nga i dashuri?
Unë njoh disa, për shkak të punës, por nuk është se i kam shoqe.
Ndërkohë ditët e fundit në media, ka dalë si modë që femra të ndryshme shprehen se politikanë apo biznesmenë u kanë ofruar para në shkëmbim të seksit; a i ka ndodhur ndonjëherë kjo gjë Linditës?
Normal, si çdo vajzë e bukur, normal që ka gjëra të tilla, por unë s’u kam kthyer përgjigje.
A janë politikanë, biznesmenë?
Unë jam vetëm 19 vjeçe dhe nuk i njoh mirë, por edhe mund të kenë qenë. Fillimisht afrohen duke të thënë që do të të ndihmojnë në karrierë, dhe më pas të kërkojnë seks. Unë kurrë nuk ua kam vënë veshin këtyre gjërave, pasi kam preferuar të eci vetë në karrierën time.
Si e shikon të ardhmen?
E thashë edhe pak më sipër, për mua prioritet është vetëm karriera. Pasi të jem realizuar në këtë fushë, do filloj të mendoj për aspektet e tjera të jetës sime.
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb