Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Himarë, ku një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), i identifikuar si Bashkim Boçi, ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.

Burime paraprake bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në momentin kur ekipet teknike po punonin për të rikthyer energjinë elektrike në zonat e prekura nga moti i keq dhe erërat e forta.

Viktima është një 55-vjeçar me origjinë nga Elbasani, i cili ishte dërguar në Himarë për të mbështetur ekipet e terrenit në riparimin e defekteve të shkaktuara në rrjet. Gjatë ndërhyrjes, ai ka pësuar një incident fatal. Dyshimet e para janë se punonjësi mund të ketë rënë në kontakt me energjinë elektrike, por shkaku i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe ekspertizës teknike.

Policia dhe grupi hetimor kanë nisur menjëherë veprimet në vendngjarje për të dokumentuar rrethanat e aksidentit, ndërsa autoritetet pritet të hedhin dritë mbi mënyrën se si ndodhi kjo ngjarje tragjike. Kujtojmë se dje Himara dhe zona bregdetare e vendit u përfshi nga stuhi të forta, duke sjellë edhe dëme materiale, si dhe defekte te linjave elektrike.

Himarë/Informacion paraprak
Rreth orës 03:40, në Qendrën Shëndetësore Himarë është dërguar pa shenja jete shtetasi B. B., 54 vjeç, banues në Elbasan, punonjës sezonal i OSHEE-së.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se shtetasi B.B, gjatë punës për riparimin e një defekti elektrik në një shtyllë, në zonën e Potamit, Himarë, ka humbur jetën. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: