Pas publikimit të pamjeve ku përfshihet në një incident me gjyqtarin, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka reaguar sërish përmes një deklarate publike.

Xhaferi ka shprehur pendesë për  goditjen me grusht dhe i ka kërkuar falje Spahiut, duke pranuar se veprimi i tij ishte i gabuar.

REAGIMI I PLOTË I ALBAN XHAFERIT:

48 orë pas përfundimit të ndeshjes Elbasani–Vllaznia, në rrjetet sociale po qarkullon me shpejtësi një video e imja nga një përplasje verbale e ndodhur në përfundim të takimit.
Nuk dua të ndalem te shkaqet dhe rrethanat që më çuan në atë reagim, sepse asnjë rrethanë nuk e justifikon veprimin. Për këtë arsye e ndiej për detyrë të sqaroj opinionin publik.
Së pari, i kërkoj publikisht dhe thellësisht ndjesë arbitrit Ergys Spahiu dhe familjes së tij për veprimet e mia në atë moment tensioni dhe presioni të jashtëzakonshëm psikologjik. Ai personalisht nuk kishte asnjë faj në atë përplasje dhe reagimi im ndaj tij ishte i papranueshëm. Çështja është tashmë e sqaruar mes nesh në frymën e mirëkuptimit dhe respektit reciprok.
Gjithashtu, i kërkoj ndjesë çdo familjeje shqiptare dhe kujtdo që ka parë apo dëgjuar ato pamje. Një sjellje e tillë nuk përfaqëson as edukatën time, as vlerat që përfaqësoj.
Së dyti, dua të jem shumë i qartë: beteja ime nuk është dhe nuk do të jetë kundër individëve. Qëndrimi im është kundër një sistemi që, sipas bindjes sime, po dëmton rëndë besimin te futbolli shqiptar. I bëj thirrje Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka, që të ndërhyjë dhe që së bashku me klubet dhe të gjithë aktorët e futbollit të ndërtojmë një sistem më transparent, më të drejtë dhe më të kontrollueshëm, ku puna, mundi, investimi dhe djersa e askujt të mos mohohen.
Së treti, për një pjesë të mediave që prej ditësh kanë zgjedhur ta zhvendosin të gjithë debatin nga problemet reale të futbollit tek ideja se “e keqja është Alban Xhaferi”, kam vetëm një përgjigje: më gjykoni për veprimet e mia, më kritikoni kur gaboj — dhe për këtë rast e pranova publikisht gabimin tim — por mos e përdorni atë për të fshehur problemet që kërkojnë përgjigje.
Alban Xhaferi vjen nga një familje e nderuar dhe e respektuar shkodrane. Jetën dhe punën time i kam ndërtuar me ndershmëri, punë dhe me besim të palëkundur në Zot. Kam gabuar dhe do të gaboj si çdo njeri, por do të kem gjithmonë forcën të kërkoj falje kur gaboj dhe po aq forcë të ngre zërin kur besoj se po bëhet një padrejtësi.
Për Vllazninë, për Shkodrën dhe për një futboll shqiptar më të drejtë, do të vazhdoj të luftoj — por gjithmonë duke nxjerrë mësimet e duhura edhe nga gabimet e mia njerëzore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb