Gjashtë klube të ndryshme, pesë shtete të ndryshme dhe të gjitha kulturat e tyre përkatëse për të kuptuar dhe për t’u përshtatur, katër huazime dhe një mori eksperiencash futbollistike nga një cep i Europës në tjetrin. Është e pabesueshme të mendosh se Jese Rodrigues është vetëm 23 vjeç dhe ka arritur të njohë kaq shumë aspekte të lojës.

Ai ka luajtur në Spanje, Turqi, Gjermani dhe Israel, është lojtari më i ri që ka bërë debutimin e parë me Real Madrid në Champions League dhe tani po luan në Holandë.

Të shtunën, skuadra e tij Fortuna Sittard do të luajë në fushën e Ajax, klubi kundër të cilit Jose Mourinho i ka dhuruar atij debutimin në futbollin europian. “Shumë njerëz mendojnë se karriera ime mbaroi, por unë ende vazhdoj të luaj dhe po e bëjë më mirë se çdo herë këtu në Holandë”, tha Jose Rodriguez për AS.

Ai po shijon eksperiencën në Eredevise, por saktëson se: “Nuk është ide e mirë t’i ndërrosh klubet kaq shpesh sa kam bërë unë. Nuk do ta rekomandoja, por gjëja pozitive është se më ka dhënë shumë eksperienca që nuk do të mund t’i kisha patur. Tani pozicionohem më mirë në fushë dhe nuk bëjë aq gabime sa bëja në të shkuarën”.

“Trajneri më thotë të organizoj skuadrën dhe të tregoj eksperiencën time. Pas ndeshjes sime të parë në formacionin titullar i thashë familjes sime se nuk mendoj se kam vrapuar ndonjëherë aq shumë për të fituar, por jam i kënaqur për mënyrën si po shkojnë gjërat, Eredevisie dhe unë, jemi kombinimi perfekt”, ka thënë Rodriguez.

Paraqitja e dobët në Gjermani
Rodriguez iu bashkua Fortuna Sittard në huazim nga Mainz 05 në fund të gushtit dhe ka qenë i detyruar të ulte pagën me 20% në mënyrë që transferimi të realizohej. “Klubi bëri një sforco për të më sjellë këtu dhe për këtë jam shumë mirënjohës. Jam shumë i lumtur dhe nuk më bën përshtypje që fitoj më pak”. Ky është çmimi që ai duhet të paguajë për të gjetur veten si lojtar, pasi pothuajse u zhduk që nga debutimi i tij fatkeq për Mainz 05 në 18 shtator 2016, kur një veprim i pamatur kundër lojtarit të Augsburg Dominik Kohr trondit tifozët e futbollit gjerman, ashtu si edhe ekipin e tij.

“U bëra një ‘persona non grata’ me ekipin prej atij incidenti dhe si pasojë, luajta shumë pak në vazhdim. Ndoshta ata duhet të kishin pritur për diagnozat, sepse dëmtimi i Kohr doli se nuk ishte aq serioz sa ata menduan. Por pa ditur faktet, unë u gjobita rëndë dhe kjo më bëri të ndihesha shumë keq, veçanërisht për familjen time. Është shumë e vështirë për prindërit të dëgjojnë se ti je një vrasës. Kurrë nuk kam qenë një lojtar agresiv, por pavarësisht nga kjo u penalizova”, ka shpjeguar ai.

“Karriera ime po shkonte mirë derisa shkova tek Mainz. Tani mund ta shoh që ishte një gabim vajtja atje; ishte një periudhë e mërzitshme për mua sepse kur nuk luan, ti fillon të besosh se jeta jote është e kot. Në verë bëra dy muaj stërvitje me ta para se të më dërgonin të luaja me rezervat. Ata paguan një çmim të madh për mua dhe e di se menduan që isha një futbollist i mirë. Prisnin që unë të bëja mirë, por pas asaj ndërhyrjeje fatkeqe ata nuk më shihnin më njësoj”, ka thënë Rodriguez, i cili u gjobit me një shumë prej 10,000 eurosh dhe mori një pezullim prej 5 ndeshjesh, “që u bënë më shumë pasi unë nuk luajta më për ata”.

Ajax-i dhe kujtimet me Real Madrid
Pas dy vitesh dhe një huazimi të lënë në mes te Maccabi tel Aviv, gjërat ndryshuan për mirë. “E kam lënë pas periudhën time të keqe në Gjermani. Ka mbaruar dhe e kam harruar”, ka thënë ai. Për sa i përket ndeshjes së kësaj fundjave kundër Ajax, ishte pikërisht ndaj tyre ndeshja kur Jose Mourinho i dha atij debutimin me Real Madrid në Champions League, në dhjetor të 2012, duke e ndihmuar atë të thyejë rekordin e Raul si lojtari më i ri që ka luajtur për “Los Blancos” në këtë kompeticion.

“Kanë kaluar gjashtë vite dhe unë ende mbahem mënd për atë gjë kudo që shkoj, është e pabesueshme”. Ai ishte 17 vjeç e 353 ditë, pak muaj më i madh se Raul, dhe nuk ishte as titullar i rregullt me ekipin e dytë të Real Madrid. Por Mourinho mendoi se ai ishte gati: “Kur ndodh diçka e tillë në atë moshë, ti nuk e shijon, sepse ti nuk e njeh akoma mirë veten. Mou më tha: ‘Unë do të bëj ty ciganin më të famshëm në botë’ dhe unë nuk ndaloja së qeshuri. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë sesi ndihesha kur trajneri më i mirë në botë filloi të fliste me mua ose të më jepte këshilla”.

Rritja si lojtar
Jose Rodriguez e kupton se është rritur shumë që atëherë. “Kur je fëmijë ti bën budallallëqe. Unë bëja gjëra vetëm për të acaruar trajnerin, por më pas e kupton që je duke dëmtuar veten. Ti nuk e kupton sa e rëndësishme është të luash, sepse kur nuk luan, ti nuk interesohesh më, edhe nëse paguhesh mirë dhe ke gjithë paratë e botes, nuk je i lumtur. Tani e di që duhet të punoj fort çdo ditë sepse duhet të shfrytëzosh mundësitë kur të jepen”./telesport

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb