Nga FATMIRA NIKOLLI*

Trupi, ah trupi!/ Do të më marri malli-/ Po trupi nuk qe asnjëherë i imi/ Që kur qe kuptimi,/ kuptimi dhe dashurimiTrupi nuk qe asnjëherë i imi./Sa herë provova të jetë/ Ndodhën përmbysje, rroposje/ Luftë, krisën rrufetë./ Trupi nuk duhej të ishte i imi./E kujt qe gjithë kjo/ xhelozi për trupin tim/ që e lakmonin burrat/ që e mallkonin gratë/ që e ëndërronin çunat./ Ah, çunat!/ Për pa u bërë burra,/ Për pa u bërë tmerre! (Moza Ahmeti “Aventurë”)

Poetja Moza Ahmeti, vjen në rrëfim me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Poezisë, për të thënë ç’është poezia, vetmia, vdekja, jeta, armiku…

Ndërsa na është krijuar përshtypja se ajo nuk po shkruan më, sepse nuk po boton më, vetë Ahmeti, mohon kur thotë se po shkruan në frëngjisht e anglisht, ndërsa për ta bërë më të qartë shton se: “Ka kohë për të shkruar. Ka kohë për të botuar. Një poet ka thënë: Ka kohë për të folur. Ka kohë për të heshtur!”
Vargjet e kohëve të fundit, i falen lumturisë: “O trishtim, shkencë e dëshpërimit, që udhëheq pa adresë! Nuk je ti që më çon shumë larg, është Lumturia. Se gjithçka mund të shndërrohet si moti…Nesër do të kemi diell, ky është një kusht spacial. Unë fsheh një skandal: Jam i lumtur! Ky është heroi im!”
Kur e pyet për poetët e saj të preferuar, Ahmeti vë përballë, të gjithë ata që hapin shtigje mendimi, ngase ajo mendon se “shkencëtari G.Spencer Brown, nuk është më pak poet sesa Neruda, po ashtu filozofi Derrida, jo më pak sesa Majakovski”.

Ajo nuk është rob i letrës, për çka, internetin e dixhitalizimin nuk i sheh si mallkim, përkundrazi, interneti për Mozën, sjell mungesën në shfaqje, dhe është një nga realitetet më luajale që ka prodhuar ndonjëherë sistemi, qoftë edhe kur keqpërdoret, ai ka emancipuar.

Si një njeri që dikur ka qenë fëmijë i përsosur, ende sot, kujton se atëkohë të largët, mendonte se “bota duhej të mbetej edhe ashtu si ishte, e bashkuar”.

Por tashmë e rritur në një botë të përçarë, ajo jep këndvështrimet e veta për shumëçka, në një rrëfim në “GAZETA SHQIPTARE”.

Ç’mesazh ke për Ditën Ndërkombëtare të Poezisë?

21 Marsi është konsideruar edhe nga UNESCO si Dita Ndërkombëtare e Poezisë. Fjala është një oaz i hapur, uji i të cilit duhet mbajtur i freskët. Poezia është burimi primar i saj. Ajo sjell ritme dhe tingëllima mendimi të reja në hapësirën mentale.

Asgjë nuk mund të ndryshojë nëse nuk ndryshon mendja. Kapaciteti për të rrokur në botën e mendjes dhe për ta ndryshuar atë, gjendet jo vetëm në sensin kritik të saj, por edhe në atë të shkëputjes, drejt drejtimeve dhe intonacioneve të reja, për të cilat liria e qenies, në koordinata të caktuara, dhuron volume të reja, të mjaftueshme të imagjinatës, për të përjetuar, kuptuar e rikrijuar, me përputhje edhe më të lartë.

Poezia është një ndërthurje e të gjitha informacioneve të hapësirës, të kodueshme dhe të pakodueshme. Për këtë arsye shpesh ajo shfaqet irracionale dhe e pakapshme edhe për poetin. Ajo sjell gjuhë të re në rendin e shprehjes.

Poezia tashmë nuk është një fakultet i veçuar, siç edhe ka qenë konceptuar. Ajo gjendet në të gjitha sferat e krijimit njerëzor. Shkrirja e saj me të gjitha sferat ka krijuar iluzionin e krizës së saj, por që është i rremë.

A na shijon vetja? A na dhuron kënaqësi ngjarja e mendjes dhe a e lehtëson apo rëndon ajo shpirtin? A ka një bashkim frymor e shpirtëror në atë që ndodh, brenda dhe jashtë nesh? A na ushqen vetja e lartë, apo jemi bërë skllevër të banalitetit dhe vetes së ulët? A jemi të zotë të dalim mbi kushtëzimin rrethanor të kushteve mentale të ekzistencës nëpërmjet dimensioneve të reja aktive, perceptive dhe imagjinative, të mendimit poetik?

Të gjitha këto pyetje janë nënkalime të sistemit ndërlidhës të logjikës dhe frymëzimit, për të sjellë në botën e mendimit, mendim, në atë të përjetimit, përjetim të ri dhe në atë të imagjinatës, kushte të reja mentale për përmirësimin e cilësisë së jetës, thelbi i së cilës nuk është thjesht pasuria, por të vetëndjerit e lartë, si poezia më e madhe e kohërave.

Cili është poeti yt i preferuar?
Poetët e mi të preferuar, mund të jenë poetë, filozofë, shkencëtarë. Të gjithë ata që hapin shtigje mendimi. Shkencëtari G.Spencer Brown, nuk është më pak poet sesa Neruda, po ashtu filozofi Derrida, jo më pak sesa Majakovski. Mendja e kërkon të jashtëzakonshmen në të gjitha llojet e shkrimeve, semantikave. Një biznesmen është po aq artist sa një kineast, kur krijon një botë ku njerëzit punojnë dhe identifikohen me atë çka krijojnë aty. Sigurisht, firmat, edhe më të mirat, mentale, poetike apo pragmatike, të gjitha janë tranzite e historike, nuk ka asgjë të përjetshme, por në momentin e dhënë, ka diçka që na bën të lumtur, të lirë apo shpresues, natyrisht brenda kushteve të mendimit.

Poetët janë shumë të ndjeshëm. Edhe ti je. Pse?

Poetët nuk janë vetëm shumë të ndjeshëm. Ajo që i dallon ata prej të tjerësh, është shpejtësia për të koduar informacionin, pikërisht aty ku të gjitha makinat e kalkuluara të logjikës, do të ngecnin. Poezia është prurja në shprehje e një koeficienti të pallogaritshëm, i cili kryen modelimin e nocionit pikërisht në pikën kur ai ka vdekur. Asnjë ndryshim radikal nuk ndodh pa këtë rimodelim të kuptimit, i cili ridezinjon forcën e jetës dhe e stabilizon atë.

Po shkruan më?

Një njeri që di shkrim, sigurisht që shkruan. Nëse doni të dini a shkruaj poezi, do të thosha që: Po. Përveçse në shqip, që prej tri vitesh kam shkruar edhe në anglisht apo frëngjisht. I fundit që kam shkruar në frëngjisht dhe që e kam në proces, është Libri i Lumturisë: “O trishtim, shkencë e dëshpërimit, që udhëheq pa adresë! Nuk je ti që më çon shumë larg, është Lumturia. Se gjithçka mund të shndërrohet si moti…Nesër do të kemi diell, ky është një kusht spacial. Unë fsheh një skandal: Jam i lumtur! Ky është heroi im!”

Pse nuk po boton më poezi, vargje, shkrime?

Ka kohë për të shkruar. Ka kohë për të botuar. Një poet ka thënë: Ka kohë për të folur. Ka kohë për të heshtur!

Sa e vështirë është të jesh Moza, pra të jesh e drejtpërdrejtë, e çlirët, shpesh edhe shumë e çiltër, por prapë kaq e qeshur, kaq tip dhe e veçantë?

Vetja është një konstrukt social, me shfaqje dhe lëvizje brenda kontekstesh, me banim individual në egon e trupit, në lartësinë e mendjes. Vazhdimi i mendjes është esenca e saj. Mendja vetë është joesenciale, përderisa ndryshon gjithë kohës. Qëndrueshmëria e saj, vazhdimësia e saj dhe lulëzimi i saj varen nga shoqëria dhe lëvizja e saj. Zhvillimet e reja në fushën e informacionit dhe semantikat që burojnë prej tyre, po sjellin një frymë të mrekullueshme, globale, për forma të reja riorganizimi të mendjes dhe jetës së saj.

A ka më poezi sot, apo interneti i ka zhbërë mënyrat e dikurshme të jetesës?
Me gjithë paragjykimet rreth tij, interneti vetëm ka çliruar dhe bashkuar atë që është e bashkueshme te njerëzit, kërkesat e tyre dhe pritshmëritë. Dixhitalizimi i shkrimit dhe publikimit është një nga liritë më të mëdha që njeriu ndonjëherë ka provuar apo shijuar. Ai e sjell mungesën në shfaqje, dhe është një nga realitetet më luajale që ka prodhuar ndonjëherë sistemi, qoftë edhe kur keqpërdoret, ai ka emancipuar.

Kur ke filluar të shkruash?

Gjatë kohës që mësoja shkrim e këndim, në klasë të parë.

Çfarë thanë prindërit kur e mësuan?

Nuk thanë gjë, sepse ata më mësuan. Unë kam qenë fëmijë shumë i përsosur, nuk kisha prirje për të shkuar pas formave ontologjike. Për mua bota duhej të mbetej edhe ashtu si ishte, e bashkuar. Po prindi më detyroi të bëja prioritet poezinë, pasi ai thoshte se isha aq shumë e talentuar, saqë më mungonte ambicia e vetëdijes rreth saj.

I ruan dorëshkrimet e para?

Ca po, ca jo. Një bllok dhe një fletore shumë të dashur, m’i grabitën gjatë periudhës studentore. Por ca poezi edhe më kujtohen syresh.

Kujt ia kushtoni poezitë tuaja, atyre që ju bëjnë të ndjeni?

Sigurisht, lentja për të shikuar botën janë njerëzit më të dashur. Ata internalizojnë dhe eksternalizojnë brenda nesh, ato forma, të cilat pastaj veprojnë në hapësirën e lexuesit, pavarësisht frymëzuesit.

Edhe vetë poeti ndryshon. Ai e shikon vazhdimësinë e poezisë, unë unitetin abstrakt të vazhdimësisë së saj, jo në fakultetin dhe përfundimin e raporteve personale ndërnjerëzore që e krijuan poezinë.

Ke qenë në Vuthaj? Ka natyrë frymëzuese për poezinë atje…

Kam qenë dy herë. Është botë e pastër dhe madhështore, një natyrë, personaliteti i së cilës, nuk është dominuar nga qytetërimi dhe që nuk ka shanse, pasi është në lartësi midis maleve dhe e vetizoluar disi. Ka vend për frymëzim, ujëra, livadhe, kuaj që enden të lirë pa zot, vetëm aty kam parë.
Kam dëgjuar të thuash, që jeta është i vetmi pasion që ke; po vdekja, çfarë është?
Këtë do ta themi kur ta dimë. Fiziologjia e vdekjes është më e vështira. Ajo jetohet brenda jetës, në formën e dëshpërimit dhe të dëmtimit që njeriu i bën njeriut, në formën e Egos dhe Tjetrit. Me dhunë verbale, mentale dhe zgjatime të saj, brenda unit dhe ndërmjet uneve. Vdekja si moment radikal, është shkenca e të vdekurve. Jeta është hapësira e të gjitha interpretimeve, të jetuara e të supozuara, të prekura e të imagjinuara.

Dikur keni shkruar një poezi të titulluar “Armiku im”, dhe thoshit: Pikërisht ato që ne zhvleftësuam/ ndërsa rrugës ecim/ që asnjëherë s’i ditëm,/ turmat,/ që inerte derdhën/ dhe frymë marrin/ me injorim lanë pasojë/ mbi shpirtin tënd/ mbi shpirtin tim”. A mendoni ende kështu për një armik?

Sigurisht që pa trajtimin e tjetrit si vetja, nuk do të ketë kurrë qetësi dhe metafizika nuk do të pushojë së thyeri vetveten. Por ka edhe raste të trajtimit keq të vetes, duke pasur prioritet tjetrin. Shqiptarët janë shumë të sakrifikueshëm për fëmijët. Ata harrojnë të jetojnë.

“E thyer në pikën më të dobët/ të të mbeturit vetëm/ që askujt s’i sjell dëm/ por mua më mbaron/ prej dhimbjesh/ që kullojnë ëmbëlsi/ gjaku të shtypur/ në vetmi.

Oh gjeniale është kjo gjendje/ kur ndërsa kuptoj që gjithçka kam humbur/ lumturinë e pafundme ndjej/ të qenies sime/ që e kam në dorë,/ atë,/ që s’mund të ma dhurojë/ asnjë lavdi, kurore”.

Çfarë është vetmia për ty Moza, a është bosh?

Vetmia është mungesë vazhdimi. Vazhdimi mund të jetë i llojllojshëm. Por ka një pikë të vdekur të ndalimit të të gjitha llojeve të vazhdimit të perspektives mentale, që është bërthama e vetmisë. Ajo është gracka e egos. Në të vërtetë vetmia nuk ekziston. Ajo është thjesht përshtypje.

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: