TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur për mediat pas vendimit të KPA-së, i cili shkarkoi sot nga detyra anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, i cili u dekretua në këtë institucion nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai tha se Shqipëria është në një situatë të një konflikti të panevojshëm, ndërsa shtoi se presidenti po tenton bllokimin e reformës në drejtësi.


Mes tjerash, Taulant Balla tha se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe shumë shpejt do të ketë të gjitha institucionet e drejtësisë. Ai kishte edhe një paralajmërim për të gjithë ata që tentojnë bllokimin e reformës në drejtësi.


“Ajo që kemi thënë është që institucionet e reja të drejtësisë, Kushtetuesja apo e Gjyaka e Lartë duhet të kenë në përbërje personalitete të drejtësisë, që nuk kanë asnjë mangësi në pastërtinë e figurës dhe aftësinë profesionale. Më mirë një Gjykatë Kushtetuese me katër anëtarë sesa me shejtanin brenda. Nuk komentoj vendimet e drejtësisë, ato janë të zbatueshme. Të gjithë e dinë se qasja e legjislativit ndaj vendimeve fundore të vettingut. Kjo është qesharake. Vendimet nuk diskutohen vetëm se zbatohen. Duhet të kuptojmë thelbin e parimit të vettingut. Sa kohë kualifikohesh në raundin e parë, pra nga KPK, vijon detyrën në të gjitha nivelet. Kjo është e qartë dhe nuk ka nevojë për thellim. Ne  jemi në një situatë të një konflikti të panevojshëm kronik të krijuar nga presidenti në përpjekje për të penguar reformën në drejtësi. Ne i bëmë thirrje presidentit për t’u rikthyer në shinat e kushtetutshmërisë.  Duhet të prevalojë respektimi i kushtetutës. Nuk ka asnjë rol presidenti në përzgjedhjen e prokurorëve të posaçëm (SPAK). Uroj që presidenti i republikës të mos krijojë vonesa në funksionalitetin e SPAK. Ne duhet ta bëjmë detyrën dhe detyra jonë është përmbyllja e reformës zgjedhore. Ne duhet t’i qëndrojmë strikt për të patur në fillim të vitit të miratuar paketën për adresimet e rekomandimeve të OSBE. Gjykata Kushtetuese është në rrugë të mbarë të funksionalitetit. Gjykata e Lartë është në proces, SPAK është në proces, Shqipëria është në rrugë të  mbarë drejt krijimit të institucioneve të drejtësisë. Kush pengon krijimin e tyre do të mbajë përgjegjësi”-tha Balla.


Komisioni i Posaçëm i Apelimit argumentoi se subjekti vlerësues, Besnik Muçi ka cenuar  besueshmërinë publike, ndërsa ka edhe probleme të justifikimit të pasurisë. Pas vendimit, Besnik Muçi tha se nuk e njeh vendimin e KPA-së.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb