“Telenovela” Eresnt Muçi është në serinë e fundit, për fat të mirë, me një fund të lumtur pasi realizohet dëshira e sulmuesit kuqezi. Trabzonspor ka vendosur të paguajë shumën që duhet për të blerë kartonin e Ernest Muçit. Palët kanë gjetur një akord final për të bërë të mundur pas disa ditësh zyrtarizimin e këtij transferimi.
Beshiktash pagoi dy vite më parë 10 milionë euro për të blerë kartonin e Muçit nga Legia e Varshavës duke u shndërruar në lojtarin më të shtrenjtë në historinë e “shqiponjave”, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Trabzonspor. Pasi paguan 1 milionë euro për huazimin e tij në verë, tani Trabzonspor do të paguajë edhe 8,5 milionë euro të tjera. Me 9,5 milionë në total, Muçi do të shndërrohet në blerjen më të shtrenjtë në histori për ekipin nga Trabzoni.
Ylli shqiptar do të firmos një kontratë të vlefshme deri në vitin 2029, ndërsa do të përfitojë 3,5 milionë euro në sezon. Me këtë shifër, Muçi shndërrohet në lojtarin shqiptar më të paguar në botë. Shifrat dhe rendimenti i sulmuesit justifikojnë totalisht këtë investim pasi në 34 ndeshje, Muçi ka realizuar 15 gola dhe ka dhuruar 3 assiste. Së fundmi, me super golin e tij dërgoi ekipin në finalen e Kupës së Turqisë.
