Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka folur për strategjinë e forcës së tij politike në zgjedhjet e ardhshme vendore, duke lënë të hapur mundësinë e kandidimit në Durrës.
I ftuar në programin e drekës në, Duka deklaroi se partia që ai drejton mund të nxjerrë kandidatët e saj në disa bashki, në rast se kandidatët e opozitës nuk arrijnë të krijojnë besim te qytetarët.
“Në Durrës mund të kandidoj. Perceptoj që kam një ndjeshmëri pozitive nga njerëzit”, u shpreh ai, ndërsa përmendi edhe Kukësin dhe Kurbinin si zona ku, sipas tij, partia ka figura të forta politike.
Duka theksoi se nuk bëhet fjalë për qëndrime personale apo ultimative ndaj opozitës, por për mbështetjen e kandidatëve që kanë integritet dhe potencial për të fituar. “Nëse nga opozita del një njeri me integritet që jep shpresë se mund të fitohet, ne tërhiqemi dhe e mbështesim. Por nëse kandidatët dalin kot më kot, do të dalim me kandidatët tanë”, deklaroi ai.
Kreu i PAA-së shtoi se edhe në rast se nuk arrijnë fitore, kandidimi më vete do t’i shërbejë partisë për të rritur peshën elektorale.
Me nota humori, Agron Duka tha se vetëm në Durrës e sheh të mundshëm kandidimin e tij personal. “Në qytete të tjera nuk besoj se më zgjedh njeri”, u shpreh ai duke qeshur.
