I ftuar në programin e drekës në News24, protestuesi Edison Lika ka folur mbi ecurinë e protestës masive në Tiranë, e cila sot shënon ditën e saj të 19-të radhazi. Gjatë bisedës në studio, Lika u shpreh se kjo lëvizje ka arritur tashmë një fitore të madhe shpirtërore, duke thyer skepticizmin e mbjellë prej vitesh në shoqërinë shqiptare.

“Në këtë protestë, për mua mundëm kulturën e mosbesimit fillimisht. Nuk besonim te njëri-tjetri. Dukej sikur nuk do bashkoheshim kurrë dhe askush nuk rrëzon qeverinë e Ramës”, deklaroi Lika.

Më tej, ai theksoi se qëllimi kryesor i kësaj revolte mbetet ndryshimi rrënjësor i situatës në vend dhe ndalimi i shpopullimit. “Ne duam të ndërtojmë një Shqipëri të re. Nuk mund ta quajmë zhvillim kur na ikin shqiptarë me shumicë nga vendi”, u shpreh ai.

Një tjetër pikë kyçe që ka dhënë forcë në shesh, sipas protestuesit, është reagimi dhe mbështetja e jashtëzakonshme që po vjen nga shqiptarët jashtë kufijve, duke e cilësuar këtë si një raport të ri të fituar.

“Panorama që vjen nga diaspora më frymëzon, në këtë protestë kemi fituar shumë gjëra, një prej tyre raporti me diasporën. E dinim që diaspora ishte me ne, ata dërgonin para këtu, por duhet të ndodhte diçka që të ndryshonte një gjë në vendin tonë që të shikonim ndryshimin e raporteve, pikërisht ky me diasporën ka ndryshuar dhe e kemi kuptuar sa afër janë me ne. Ka pasur protesta deri në Australi dhe shërbejnë si model frymëzimi për ne”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb