Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë është pranuar si anëtare me të drejta të plota e Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve (IAP).
Anëtarësimi i jep Shoqatës mundësi të reja për bashkëpunim dhe shkëmbim eksperiencash me prokurorë nga 175 vende të botës.
IAP, e themeluar në vitin 1995 në Vjenë, bashkon mbi 250 mijë prokurorë në nivel ndërkombëtar.
Sipas Shoqatës së Prokurorëve, anëtarësimi do të shërbejë për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, zhvillimin profesional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e drejtësisë.
Shoqata synon që përmes këtij anëtarësimi të forcojë përfaqësimin e prokurorëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare dhe të kontribuojë në promovimin e pavarësisë, integritetit dhe profesionalizmit të prokurorit.
Njoftimi i Shoqatës së Prokurorëve:
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë njofton me kënaqësi pranimin e saj si anëtare me të drejta të plota e Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve (International Association of Prosecutors – IAP).
IAP, e themeluar më 6 qershor 1995 në Zyrat e Kombeve të Bashkuara në Vjenë, Austri, është sot organizata më e rëndësishme ndërkombëtare që bashkon mbi 250,000 prokurorë nga 175 vende të ndryshme të botës.
Anëtarësimi në këtë organizatë përbën një moment të rëndësishëm për Shoqatën e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe për përfaqësimin e prokurorëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.
Pranimi në IAP i krijon Shoqatës mundësi të reja për të qenë pjesë aktive e një rrjeti ndërkombëtar profesionistësh, për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira me kolegë nga sisteme të ndryshme të drejtësisë, si dhe për të kontribuar në diskutimet ndërkombëtare mbi çështjet që lidhen me rolin, pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e prokurorit.
Ky anëtarësim është gjithashtu një mundësi për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, zhvillimin profesional të anëtarëve të Shoqatës, pjesëmarrjen në aktivitete dhe iniciativa ndërkombëtare, si dhe forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me organizatat homologe.
Për Shoqatën e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, anëtarësimi në IAP përfaqëson më shumë se një njohje institucionale. Ai është një hap drejt një përfaqësimi më të gjerë të prokurorëve shqiptarë në komunitetin ndërkombëtar të prokurorëve dhe një mundësi për të sjellë në Shqipëri përvojën, standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Shoqata do të angazhohet që këtë anëtarësim ta shndërrojë në një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi, shkëmbimi profesional dhe zhvillimi, në funksion të forcimit të rolit të prokurorit në në shoqëri demokratike dhe të vlerave të drejtësisë.
