Nga 26 gushti deri më 8 shtator, maturantët që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta kanë mundësinë të regjistrohen në Universitetin “Luarasi”, ndërsa nga 26 gushti deri më 4 shtator universiteti do të zhvillojë një javë të dedikuar për këshillimin dhe orientimin e karrierës.

I ftuar në Neës24, Gentian Hoxhalli, drejtues i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit në “Luarasi”, tha se gjatë kësaj periudhe maturantët dhe familjarët e tyre do të mund të marrin informacion të detajuar mbi degët dhe profesionet që kanë kërkesë të lartë në tregun e punës.

“Për maturantët dhe familjarët e tyre kemi menduar një javë këshillimi karriere, që zhvillohet nga 26 gushti deri më 4 shtator. Gjatë kësaj jave do të prezantojmë trendet dhe degët që preferohen më shumë në tregun e punës”, u shpreh Hoxhalli.

Sipas tij, programet e studimit në “Luarasi” janë orientuar drejt kërkesave aktuale të tregut kombëtar dhe ndërkombëtar të punës.

“Ne ofrojmë degë që kanë trendet aktuale të punës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kurrikula është bashkëkohore dhe i përgjigjet tregut të punës”, deklaroi ai.

Universiteti “Luarasi” ofron programe studimi në disa fusha, duke nisur nga Drejtësia, ku një pjesë e konsiderueshme e të diplomuarve janë punësuar në institucione të rëndësishme në vend. Në Fakultetin e Ekonomisë ofrohen dy programe Bachelor: Financë-Bankë dhe Menaxhim Biznesi. Ndërkohë, Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit ofron programet Bachelor në Informatikë Ekonomike dhe Teknologji Informacioni dhe Inovacion. Një tjetër fushë është ajo e Shkencave Mjekësore, ku ofrohet programi Bachelor në Infermieri, ndërsa universiteti ofron gjithashtu programe 5-vjeçare në Farmaci dhe Stomatologji.

“Me shumë krenari themi se kemi nxjerrë breza të suksesshëm që janë punësuar brenda dhe jashtë vendit”, tha Hoxhalli.

Një nga pikat e vëna në fokus është edhe njohja e diplomave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe përputhja e programeve akademike me kërkesat e tregut të punës.

Në intervistë, Hoxhalli shpjegoi edhe kriteret që duhet të plotësojnë maturantët që synojnë programin e lidhur me London School of Economics (LSE).
Kandidati duhet të ketë një mesatare mbi 7 gjatë tre viteve të shkollës së mesme. Një tjetër kriter është nota e matematikës në matematikë, e cila duhet të jetë të paktën 8. Gjithashtu, kërkohet njohja e gjuhës angleze në një nivel të paktën B1.

Përpara vijimit të programit, studentët i nënshtrohen edhe një vlerësimi në “Luarasi”. Sipas Hoxhallit, ky vlerësim nuk ka karakter penalizues, por synon të identifikojë dhe të ndihmojë në plotësimin e mangësive që mund të kenë studentët.

Gjatë javës së orientimit, nga 26 gushti deri më 4 shtator, ambientet e universitetit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 17:00 për maturantët dhe prindërit e tyre.

“Maturantët që na kanë përzgjedhur duhet të paraqiten në datat përkatëse pranë ‘Luarasit’, të regjistrohen, të pajisen me kontratën dhe matrikullin për të vijuar vitin e ri akademik në tetor”, u shpreh Hoxhalli.

“‘Luarasi’ vjen me një ofertë të veçantë financiare për studentët që duhet të regjistrohen pranë nesh. I ftojmë të paraqiten në ambientet e ‘Luarasit’, pasi është një mundësi shumë e rëndësishme si për prindërit, ashtu edhe për vetë maturantët”, përfundoi Hoxhalli.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb