Analisti Mentor Kikia, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, duke vënë në pikëpyetje procesin zgjedhor brenda kësaj force politike.
Sipas Kikiës, ajo që po ndodh aktualisht në PD nuk mund të konsiderohet si një proces i mirëfilltë zgjedhor. “Trajtimi i zgjedhjeve në PD është kohë e humbur, pasi de facto nuk kemi të bëjmë me zgjedhje”, u shpreh ai, duke shtuar se në fillim ekzistonte një “hije gare”, por zhvillimet e fundit e kanë zhdukur atë.
Analisti theksoi se një pjesë e kandidatëve janë vetëpërjashtuar, ndërsa të tjerë janë përjashtuar nga gara, duke bërë që procesi të mbetet pa alternativë reale. Sipas tij, prania e Sali Berisha në garë e bën rezultatin të paracaktuar. “Në momentin që në garë është Berisha në atë parti, procesi është i mbyllur”, deklaroi Kikia.
Ai u ndal edhe te rasti i Ervin Salianjit dhe kandidatëve të tjerë, përjashtimi i të cilëve, sipas tij, e ka bërë situatën edhe më problematike.
Kikia shtoi se lejimi i rivalëve në garë do ta bënte më të justifikueshëm procesin përpara anëtarësisë, ndërsa mungesa e konkurrencës lidhet, sipas tij, me një mentalitet politik të përhapur në Shqipëri. “Ka një mani për të mos pasur rivalë. Kryetarët nuk bëjnë zgjedhje, por emërojnë drejtues në nivele të ndryshme”, tha ai.
Në analizën e tij, ai paralajmëroi se vendime të tilla mund të kenë pasoja politike për PD, duke përfshirë edhe krijimin e grupimeve të reja. “Vendimi i Berishës për të mos e lejuar të garojë Salianjin, Berisha bëri një dëm tjetër sepse do të krijojë një grupim të ri politik që mund të mos ketë fare peshë politike ose ndonjë zhvillim në raportin e krijimit të një lëvizjeje të re politike, por edhe sikur 5 vota të largohen nga PD është humbje. PD nuk ka luksin të humbasë qoftë një votë të vetme duke qenë 13 vite në opozitë”, përfundoi Kikia.
