Zhoze Murinjo mund të jetë një nga trajnerët më fitues të dekadës së fundit, por numri i trofeve të tij ka ecur paralelisht me shifrat e çmendura që portugezi ka shpenzuar në merkato. Ai është trajneri që ka shpenzuar më shumë në botë gjatë 10 viteve të fundit. Fatura në total e 52-vjeçarit ka arritur në 845 milionë euro.

Mou ka menaxhuar Realin, Interin dhe dy herë Çelsin gjatë dekadës së fundit. Sezonin e shkuar, kur fitoi titullin e Premier Ligës në “Stamford Bridge”, ai shpenzoi 91 milionë euro. Kjo faturë përfshin transferimet e Cesk Fabregasit nga Barcelona për 40 milionë euro dhe Diego Kostës nga Atletiko e Madridit për 43 milionë euro. Mou ndiqet nga tekniku i Mançester Sitit, Manuel Pelegrini, me 815 milionë euro, ndërsa podin e mbyll trajneri i ardhshëm i Bajernit të Mynihut, Karlo Ançeloti, me 636 milionë euro.

Pelegrini shpenzoi 93.9 milionë euro për të transferuar Kristiano Ronaldon te Reali në vitin 2009, ndërsa faturës së kilianit në Madrid iu shtuan edhe ato të Karim Benzemasë dhe Ksabi Alonsos, 40 milionë euro secili. Luis Van Gali i Mançester Junajtid renditet i 6- ti në 10-shen e parë: holandezi ka shpenzuar 460 milionë euro. Pep Guardiola do të largohet nga Bajerni këtë verë dhe do të transferohet në Angli, ku do të drejtojë Mançester Sitin. Spanjolli, i cili gjatë 4 viteve të tij te Barcelona fitoi tre tituj kampionë dhe dy herë Ligën e Kampioneve, do të mbyllë vitin e tij të tretë në stolin e rekordmenëve gjermanë. Totali i shpenzimeve të tij në këto momente është 521 milionë euro, duke e renditur 44-vjeçarin në vend të 5-të. Por me uljen e tij në “Etihad”, ai pritet të fitojë vende të tjera në këtë klasifikim, duke iu afruar rivalit të tij kryesor, Zhoze Murinjos.

Legjenda e Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, nuk mungon në këtë klasifikim, por skocezi renditet vetëm në vend të 10-të: 74-vjeçari shpenzoi 383 milionë euro përpara se të tërhiqej në vitin 2013 pas 26 viteve në “Old Trafford”. Përpara Fergit, është ish-tekniku i Liverpulit, Brendan Roxhers (391 milionë euro) dhe rivali i tij Arsen Venger me 454 milionë euro. Arsenali kryeson Premier Ligën në këto momente dhe Venger mund të tundohet për të shpenzuar më shumë këtë janar për të sjellë titullin e parë që prej 2004-ës. Francezit i mjafton transferimi i Elnenit nga Bazeli, i cili pritet vetëm të zyrtarizohet që ai të kalojë Van Galin në këtë klasifikim dhe ndoshta të kërcënojë edhe pozicionin e trajnerit të saposhkarkuar të Realit, Rafael Benitez, i cili ka shpenzuar 513 milionë euro.

BLERJET MË TË SHTRENJTA TË TRAJNERËVE

ZHOZE MURINJO
Diego Kosta 43 mln €
Andrij Shevçenko 40 mln €
Uillian 40 mln €

MANUEL PELEGRINI
Kristiano Ronaldo 93.9 mln €
Kevin De Brujn 73 mln €
Rahim Sterling 66 mln €

KARLO ANÇELOTI
Garet Bejl 100 mln €
Hames Rodrigez 85 mln €
Fernando Torres 58 mln €

ROBERTO MANÇINI
Serxho Aguero 54 mln €
Edin Xheko 36 mln €
Samir Nasri 34 mln €

PEP GUARDIOLA
Zlatan Ibrahimoviç 54 mln €
Cesk Fabregas 47 mln €
David Vija 46 mln €

RAFAEL BENITEZ
Gonzalo Higuain 47 mln €
Danilo 30 mln €
Mateo Kovaçiç 30 mln €

LUIS VAN GAL
Angel di Maria 81 mln €
Antoni Marsial 50-78 mln €
Ljuk Shou 43 mln €

ARSEN VENGER
Mesut Ozil 58 mln €
Aleksis Sançez 47 mln €
Santi Kazorla 21 mln €

BRENDAN ROXHERS
Kristian Benteke 44 mln €
Roberto Firminjo 39 mln €
Adam Lalana 34 mln €

SËR ALEKS FERGUSON
Dimitar Berbatov 40 mln €
Huan Veron 38 mln €
Rio Ferdinand 37 mln €

(ed.me/panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: