Myftiu i Korçës hoxhë Ledian Çikalleshi ka uruar besimtarët me rastin e muajit të Ramazanit duke i informuar gjithashtu se xhamitë do të qëndrojnë të mbyllura në respektim të masave të vendosura për shkak të pandemisë.

Myftiu shprehet se muaji i Madhërueshëm i Ramazanit, është muaji i pastrimit, faljes dhe solidaritetit, muaj ku njeriu rikthehet drejt vetes dhe vlerave njerëzore, kur mundet më mirë të kuptojë i ngopuri të uriturin, i pasuri të varfrin, vetëm se kur e përjeton vetë atë gjendje.

MESAZHI
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë myslimanë të Qarkut të Korçës, në emër të Myftinisë së Zonës Korçë, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Nesër, ditën e premte, datë 24 prill 2020, është dita e parë e Muajit të Bekuar të Ramazanit. Të gjithë myslimanët në mbarë botën, fillojnë bashkarisht agjërimin e Ramazanit, duke ju përgjigjur kështu urdhërit të Zotit në Kur’an, ku thotë:
“O ju që keni besuar, ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç ishte për ata para jush në mënyrë që të jeni të devotshëm” (Bekare:183)

Muaji i Madhërueshëm i Ramazanit, është muaji i pastrimit, faljes dhe solidaritetit. Muaj ku njeriu rikthehet drejt vetes dhe vlerave njerëzore. Kur mundet më mirë të kuptojë i ngopuri të uriturin, i pasuri të varfrin, vetëm se kur e përjeton vetë atë gjendje. Pikërisht muaji i Ramazanit është kjo kohë.

Agjërim do të thotë të privosh veten nga ushqimi, pija dhe kënaqësitë e tjera trupore, nga agimi deri në perëndim të diellit. Por gjatë kohës së agjërimit, nuk agjëron vetëm stomaku, por edhe gjëmtyrët e tjera si goja, veshi, hunda, dora dhe këmba, duke qenë më të kujdesshëm në veprime.

Me keqardhje ju njoftojmë se të gjitha xhamitë e zonës së Korçës, do të qëndrojnë të mbyllura duke respektuar rregullat e vendosura për të mos lejuar përhapjen e virusit Covid-19. Duke ju kërkuar mirëkuptimin, ju bëj thirrje për respektimin e rregullave dhe kufizimeve.

Lusim Allahun që të prekurve nga virusi t’u japë shërim sa më të shpejtë, t’i mëshirojë ata qe ndërruan jetë dhe ta ruaj popullin tonë nga sprova te tilla!
Ju uroj edhe një herë një Ramazan të begatë!
Agjerim të lehtë e të pranuar!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb