Pas ekspertit të IT-së, Gent Progni, edhe protestuesi, Besart Kaimi, i është drejtuar ditën e sotme Komisariatit Nr. 1 në kryeqytet për të depozituar një kallëzim penal lidhur me ngjarjet e dhunshme të 2 korrikut, ku pas një incidenti me vezë ndaj ministrit Ulsi Manja, u arrestua nga policia.

Në një prononcim për mediat menjëherë pas daljes nga ambientet e policisë, Kaimi ka bërë të ditur se ka denoncuar personat civilë që kanë ushtruar dhunë ndaj tij gjatë dhe pas shoqërimit. Ai hodhi akuza të forta mbi mënyrën se si u trajtuan nga uniformat blu në momentin e prangosjes.

Kaimi u shpreh se ka kryer të gjitha procedurat si një qytetar i lirë dhe se pret që këtë herë institucionet ligjzbatuese të mos bëjnë palë me dhunuesit.

“Sapo dola nga Komisariati Numër Një ku normalisht, si çdo qytetar i lirë i këtij vendi, bëra dhe unë një kallëzim për personat që më dhunuan atë ditë – civilë normalisht. Po pres që drejtësia e kësaj radhe të funksionojë, me shpresë se do funksionojë, siç nuk funksionoi kur ne u arrestuam, që u arrestuam në mënyrë jo korrekte,” deklaroi aktivisti.

Në mbyllje të fjalës së tij, Besart Kaimi nënvizoi se shteti duhet të ndalojë persekutimin e njerëzve të thjeshtë që guxojnë të ngrenë zërin apo të akuzojnë zyrtarët e lartë.

“Pres që kësaj radhe të funksionojë dhe të shkojnë para drejtësisë njerëzit që duhet të shkojnë para drejtësisë dhe jo qytetarët e thjeshtë që qoftë protestojnë në mënyrë paqësore, dhe qoftë akuzojnë njerëzit e paautorizuar në mënyrë paqësore dhe korrekte. Kaq kisha dhe çdo gjë tjetër konform ligjit, këtë kërkoj”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb