Lediana dhe Jurgeni, të dy maturantë, shokë banke në gjimnazin “Partizani” në Tiranë, u takuan me mall pas shume javësh izolimi dhe ndarje për shkak të pandemisë. Malli është aq i madh sa nuk kujtohen fare se duhet respektuar distancimi social.

Dy maturantët shprehen të bindur se kur të kthehen në klasë më 18 maj, do jetë e vështire për mos të shkëmbyer përqafime me shokët që i ka bashkuar vetëm whatsasapp-i këto 10 javët e fundit.
“Distancimi social do jetë jo vetëm i vështire por i pamundur, kjo është e sigurt. Arsyeja është për shkak të lidhjes që ne kemi dhe se kemi javë të tëra pa u parë. Pjesa më e madhe e maturantëve nuk i tremben sëmundjes, se prek grup mosha te caktuara. Gjëja që dua më tepër është të takohemi me njeri-tjetrin, të mësojmë për provimet dhe të jetojmë jetën tonë normalisht”,-shprehet maturantja e gjimnazit “Partizani” Lediana Dushani.

“Kthimi në shkollë është diçka e mirë, për shkak se ne kishim nevojë për konsultimet. Por kthimi në shkollë nuk e di sa i sigurt është, nuk e di sa do të ruhet distancimi social për shkak të disa arsyeve siç është karantinimi për dy muaj na ka larguar me njëri-tjetrin, sot rinia nuk rri dot pa u takuar”,-thotë Jurgen Caka, president i gjimnazit “Partizani”.

“Mbrëmjet e maturës nuk do të lejohen, janë festa që nuk mundësojnë distancimin social, kështu që ato duhet të anulohen”, kështu u shpreh javën e kaluar ministrja e arsimit Besa Shahini. Kjo fjali e thënë nga ministrja iu prishi ëndrrat më të bukura të rinjve maturantë. “Kjo është zemërthyerje, e kisha modelin e qarte të fustanit edhe materialin. Vetëm te shkoja t’i thoja rrobaqepëses, kisha 3 vite qe e mendoja”, -thotë 18-vjeçarja e pyetur nga News24. “Nëse hap telefonin tani, kam katër foto kostumesh që i ruaj nga viti i pare”, -shprehet Jurgeni.

Jo vetëm mbrëmja e maturës por edhe udhëtimi i planifikuar për në Sarande do t’i mbetet peng maturantes së shkëlqyer në mësime dhe shokut të saj president i shkollës “Partizani”. “Ishte e dhimbshme, ishte zhgënjyese, këto plane i kemi bërë që nga viti i parë. Pikërisht ne na janë anuluar në krahasim më gjithë brezat e tjera”,-thotë vajza.

Në 55 vite të historisë së gjimnazit “Partizani” kjo është hera e parë që 250 maturantët nuk do të kremtojnë mbylljen e viteve më të bukura të shkollës. Është e trishtueshme pasi nuk do kenë asnjë kujtim. Megjithatë shpresat i mbajnë te gjalla se diçka mund të organizojnë pas provimeve të maturës.
“Është shumë e vështire që të mbledhësh të gjitha maturën bashkë, ne mund të organizohemi në grupe të vogla por duke mos thyer ligjet, nuk duam të marrim pastaj pasojat, jemi të rinj dhe nuk do heqim dorë prej këtyre lloj qejfeve”,-thotë Lediana.

“Ne mund ta bëjmë edhe në korrik ose ne gusht mbrëmjen e maturës, nuk do te heqim dorë është diçka që e kemi pritur prej shumë vitesh”,-thotë presidenti i gjimnazit “Partizani”. Pas 10 javësh të mësimit online, të vetmit që do rikthehen në bankat e shkollës janë klasat e 12- në një periudhë tre javore nga 18 maji deri në 5 qershor. E më pas 31. 111 mijë maturantë do ti nënshtrohen provimeve në datat e përcaktuar mes 8 qershorit dhe 18 qershorit. Provimi është planifikuar te zgjasë dy orë , me 60 pyetje me alternativa. maturantet thonë se mesatarisht kane vetëm dy minuta kohë për te gjetur përgjigjen e sakte, kohë që iu duket shumë e shkurtër.

“Nuk duhet të ishte shkurtuar koha, janë 60 pyetje, i bie respektivisht 2 minuta për një pyetje shumë pyetje do duan me shumë se 2 minuta është shumë situate delikate”,-thotë maturantja. “Vjet ishte një risi, duhet të plotësonim edhe fletën e përgjigjeve. Ishte fleta që do skanohet dhe përgjigjet do korrigjohen në mënyrë te digjitalizuar, nuk e dimë nëse koha do jete e mjaftueshme”, -thotë Jurgeni. Megjithatë kushtet e zhvillimit të procesit mësimor dhe provimeve nuk do të jenë njësoj me vitet e kaluara. Jurgeni thotë se në klase nuk do te jene me shumë se 15 nxënës dhe se do përdorin maska dhe doreza. Provimet e maturës do të bazohen në temat e kryera në shkollë deri më datën 9 mars 2020. Askush nuk e di si do të shkojë, as vetë maturantët, por ata do të mbahen mend si matura, që për shkak të Covid-19 u privua nga shumë çaste që e bëjnë të paharrueshëm vitin e fundit të shkollës së mesme
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: