Nga Qemal Lame

Marrë nga libri “Miq dhe armiq”

“Vrasja” apo “vetëvrasja” e Kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit Nako Spiru!?

Nako Spiru ishte një nga të paktët që kishte studiuar në Itali, drejtues i Rinisë Komuniste gjatë e pas Luftës Nacionalçlirimtare, u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar më 24 maj 1944, në Kongresin e Përmetit, anëtar i Byrosë Politike dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit. Ai shquhet si një nga personalitetet me kontribute për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe i vetmi që iu kundërvu aktivisht politikës së Titos për aneksimin e Shqipërisë. Eliminimi i Nakos është bërë, në radhë të parë, për shkak të qëndrimit të hapur kundër politikës jugosllave për aneksimin e Shqipërisë, si dhe kundërshtimit të qëndrimeve projugosllave të Enver Hoxhës.

Krerët shqiptarë e shikonin si idhull Titon dhe drejtoheshin nga politika jugosllave. Ligjin në Shqipëri e bënin të dërguarit specialë të Titos. Në çdo institucion shtetëror, si dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, drejtonin përfaqësuesit jugosllavë. Në kohën e luftës drejtonin Miladin Popoviç e Dushan Mugosha. Më pas Velinir Stanoviç. Në vazhdim të politikës së vjetër për pushtimin ushtarakisht dhe me genocid të territoreve shqiptare, Titoja synonte me rrugë paqësore me anë të bashkimit ekonomik dhe ushtarak të aneksonte Shqipërinë.

Nako Spiru me aftësitë e tij intelektuale dhe profesionale ishte aktiv në politikë dhe veprimtarinë shtetërore, kundërshtonte me forcë politikën jugosllave dhe bashkimin ekonomik, financiar e doganor e unifikimin e monedhës së lekut me dinarin, që do të çonte në aneksimin e Shqipërisë si Republikë e Shtatë e Federatës së Jugosllavisë. Në muajt mars-prill 1946 u zhvilluan bisedime në Beograd për tregtinë e jashtme midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Gjatë bisedimeve me homologun e tij jugosllav Indriç, ai e pyet Nakon: Në rast se ushtria jugosllave do të vendoset në Shqipëri, çfarë qëndrimi do të mbani Juve? Nakoja i është përgjigjur: Pse do të vendosni edhe ushtrinë? Nga këto thënie të Indriç kuptohet qartë qëllimi për pushtimin e Shqipërisë nga Jugosllavia.

Nakoja nuk e firmosi marrëveshjen me argumentin se do të merrte mendimin e udhëheqjes në Tiranë. Më 27 maj 1946, gjatë vizitës së Enver Hoxhës dhe Josif Broz Titos me Stalinin në Moskë, u diskutua bashkimi i Shqipërisë me Federatën e Jugosllavisë, si dhe alternativa tjetër e krijimit të Konfederatës Ballkanike. Stalini, si lider i shteteve socialiste dhe i adhuruari i shqiptarëve, do të ishte ai që do të vendoste për gllabërimin e Shqipërisë nga Jugosllavia.

Më 27 maj 1946 Stano Misiç kërkon të miratohet Traktati 20-vjeçar për bashkëpunimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Në nenin 3 parashikohej edhe ndihma ushtarake kur një vend rrezikohej nga një shtet tjetër. Por nuk u miratua nga pala shqiptare. Më 23 qershor 1946 Enveri shkon në Beograd dhe nënshkruan marrëveshjen për bashkimin ekonomik, financiar e doganor. Gjuha serbo-kroatishte u vendos me detyrim në shkollën e mesme.

Më 29 maj 1947 u unifikua monedha jonë, leku, me dinarin jugosllav. Leku kishte vlerë më të madhe në krahasim me dinarin dhe u zhvleftësua faktikisht. Tregtarët shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin krijuar rezerva duke blerë me shumicë mallra industriale e të ndërtimit në shtetet perëndimore, sidomos në Itali. Me anë të disa ndërmarrjeve të përbashkëta jugosllavët blinin me çmime të lira mallrat, sidomos ato perëndimore, industriale e të ndërtimit, të blera para Çlirimit, prodhimet ushqimore etj., dhe i transportonin në Jugosllavi. Shqiptarët kundërshtonin skllavërinë e re nga Jugosllavia.

Në mbledhjen e Byrosë Politike më 29 maj 1947 Nako Spiru kundërshton me forcë politikën e bashkimit ekonomik që po shkatërronte tregun, ekonominë, financat e mirëqenien e popullit. Atë e mbështet edhe Mehmet Shehu pas kthimit nga studimet në Moskë dhe emërimit si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Andrea Zhdanov, përfaqësues sovjetik në Tiranë, dërgon një letër në Moskë, ku raporton për gjendjen në politikën shqiptare dhe kundërshtuesit ndaj Jugosllavisë duke përmendur Mehmet Shehun, Liri Belishovën dhe Nako Spirun. Jugosllavët reagojnë me të gjitha mundësitë. Agjentët jugosllavë do t‘i dorëzojnë Enverit letrën e Nakos për Partinë Komuniste të Jugosllavisë që e kishte shkruar në gjuhën italiane. Në atë letër Nako shkruante se Enveri ka përqendruar gjithë pushtetin, është me nivel mediokër, pa suksese si profesor gjimnazi etj.

Më 5 nëntor 1947 Sado Sllaviç takohet me Enverin dhe Koçin, bisedojnë dhe u dorëzon letrën e Nakos. Pas këtij takimi rritet presioni ndaj Nakos dhe ai e ndien veten të kërcënuar. Më 10 nëntor 1947 ai merr takim me ambasadorin sovjetik në Tiranë Dimitri Çuvakin dhe e vë në dijeni për politikën e Enverit me jugosllavët dhe kundërshtimet e tij për bashkimin me Jugosllavinë. Nako ka theksuar se për këto arsye “Jam në vështirësi në marrëdhëniet me Enverin dhe Koçin!”.

Gjyqi politik për dënimin e Nako Spirut

Më 18 nëntor 1947 është bërë mbledhja e Byrosë Politike vetëm me anëtarët. Kandidatët Mehmet Shehu, Liri Belishova dhe Fadil Paçrani nuk u njoftuan. Është diskutuar për bashkimin ekonomik me Jugosllavinë. Nakoja është shprehur kundër. Enveri ka deklaruar solidaritetin me Jugosllavinë. Nakoja është çuditur me qëndrimin e Enverit. Pastaj Enveri ka vënë në dijeni për letrën. Nakoja, i shqetësuar, ka ndier se ky do të ishte fundi dhe dënimi i tij me vdekje. Ai ka kërkuar pesë ditë kohë për të menduar dhe shprehur qëndrimin për letrën. Atij iu dha vetëm 24 orë kohë.

Më 20 nëntor 1947 në orën 20:00 do të zhvillohej mbledhje e Byrosë Politike. Rreth orës 19:00 Nakoja i ka kërkuar takim Enverit, por ai e ka refuzuar. Në orën 19:45 Nakoja është gjetur në zyrën e tij, në kolltuk, i qëlluar me armë zjarri në zemër. Nesti Kerenxhi dhe shoferi i tij Lefter Lakrori kanë thënë se e kanë gjetur në kolltuk të qëlluar me plumb në zemër. Nuk është bërë e ditur se kush i ka lajmëruar ata për të vajtur në zyrën e Nakos.

Më 22 nëntor 1947 nga gazeta “Bashkimi” u dha njoftimi se më 20 nëntor 1947 Nako Spiru ka vrarë veten me armën personale duke u qëlluar në zemër. Kohë më vonë mësohet se punonjësit e Komisionit të Planit të Shtetit kanë diskutuar në mirëbesim se Nakon e vrau zëvendësi i tij. Nako Spiru ka qenë në ndjekje aktive nga Sigurimi i Shtetit. Koçi Xoxe ka deklaruar në hetuesi dhe në gjyq se gjurmimi i Nako Spirut është bërë me urdhër të Enver Hoxhës. Unë vetëm sa e kam zbatuar. Nesti Kerenxhi, zëvendësministri i Brendshëm, ka deklaruar në gjykimin e komplotit të Mehmet Shehut se më 18 nëntor 1947, rreth orës 22:00, më merr në telefon shefi, ministri i Brendshëm Koçi Xoxe. Kur vete në shtëpinë e tij, gjeta edhe Pandi Kriston, ministër pa portofol. M‘u dha urdhri për gjurmimin e Nakos.

Më datën 19 nëntor 1947 Niko Kerenxhi, me makinën e tij që drejtohej nga shoferi Lefter Lakrori, ndjekin Nakon në mëngjes, në kohën që do të shkonte në zyrë. Papritur makina e Nakos vazhdon rrugën dhe tek Ura e Beshirit kthehet mbrapsht. Kuptohet se e kishte kuptuar që gjurmohej. Nesti ulet që të mos e shihte Nakoja dhe i thotë shoferit të vazhdojë rrugën, të mos kthehet. Plumbi që ka vrarë Nako Spirun është gjetur rastësisht 29 vjet më vonë, në nëntor 1976, në kolltukun që ai ka pasur në zyrën e tij, në Komisionin e Planit të Shtetit.

Nga analiza juridike sipas kritereve të shkencës së kriminalistikës, tërheqin vëmendjen vendi, pozicioni dhe drejtimi i plumbit të gjetur, i futur në dërrasën në shpinën e kolltukut të përdorur prej më shumë se 40 vjetësh. Është thënë se Nakoja ka qenë i ulur në kolltuk kur ka “vrarë” veten. Në atë pozicion plumbi duhej të ishte horizontal. Në kohën që u gjet plumbi, vërtetohet se ishte në pozicion të pjerrët, rreth 45 gradë. Për të sqaruar këto fakte të reja është e domosdoshme analiza e gjithanshme e të dhënave të dosjes hetimore, të kryhen ekspertimet kriminalistike, balistike, mjekoligjore, analiza e ADN-së etj.

Nga analiza me përgjegjësi profesionale e provave dhe fakteve të njohura, si dhe në bazë të përvojës së bazuar në njohuritë shkencore kriminalistike, si dhe mendimet e publikuara nga hetues, ekspertë kriminalistë e mjekoligjorë e studiues të së drejtës penale, del më i argumentuar versioni se Nako Spiru është vrarë, jo vetëvrarë.

Së pari, pozicioni 45 gradë i gjetjes së plumbit dëshmon se ai nuk ka qëlluar vetë në zemër me armën e tij personale. Vrasësi (apo vrasësit) e ka kapur me forcë, e ka qëlluar dhe ulur në kolltuk.

Së dyti, Nakoja dihet se ka qenë i imët dhe i shkurtër. Pozicioni i plumbit të gjetur tregon se ai është qëlluar nga vrasësi (apo vrasësit).

Së treti, në rast se do të pranohet versioni se ai ka qëlluar veten, plumbi nuk do të ishte në pozicionin 45 gradë, por drejtpërdrejt ose afërsisht drejtpërdrejt.

Së katërti, ekspertimi shkencor kriminalistik me rindërtimin e vendit të ngjarjes, dëmtimet e mundshme në kockat në qafë ose në brinjët e kraharorit apo të shpinës, do të ndihmonin të sqarohej nëse është qëlluar me një plumb apo dy plumba në drejtim të zemrës ose të kokës, siç është vepruar edhe në raste të tjera të ngjashme.

Nako Spiru është i vetmi që është varrosur dhe rivarrosur pesë herë. Megjithëse “vetëvrasja” e tij u dënua, ai vazhdoi të nderohej, u emërtuan me emrin e tij institucione e ndërmarrje shtetërore. i vetmi njeri që ka ndikuar për ruajtjen e kujtimit të tij duhet të jetë Nexhmije Hoxha. Asnjë personalitet i mëparshëm nuk ka guxuar të flasë hapur për Nako Spirun.

Pas afro 60 vjetësh, Ramiz Alia në kujtimet e tij shkruan me vlerësime për të. Me modesti kritikon Enver Hoxhën që në mbledhjen e Byrosë Politike më 18 nëntor 1947 nuk i dha kohë, nuk e priti dhe nuk u kujdes të dëgjojë dhe reflektojë për mendimet e Nakos. Ramizi vë në dukje se Nakoja kreu vetëvrasje në kushtet kur nuk pati mbështetje të jashtme nga sovjetikët dhe të brendshme nga Enver Hoxha. Ai është detyruar të vrasë veten si pasojë e presionit të madh nga jugosllavët, pasi ishte i vetmi që kundërshtoi me forcë bashkimin ekonomik dhe aneksimin nga Jugosllavia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb