I ftuar në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte ish-ministri i Financave Arben Malaj, i cili me anë të fotografive rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim për jetën e tij profesionale, por edhe për atë private.

Malaj kujtoi se ka qenë një fëmijë ambicioz dhe se dëshira e tij dhe e prindërve ishte që të ishte një njeri i mirarsimuar, gjë të cilën ai e realizoi me kalimin e viteve.

Teksa në program u shfaq një fotografi me të ndjerin Bashkim Fino, Malaj tregoi se kanë patur një miqësi të ngushtë dhe se gjatë studimeve kanë qëndruar së bashku për katër vite në të njëjtën dhomë. “E kisha si vëlla. Ishte një njeri me zemër të madhe. Fatkeqësisht i ati i Bashkimit kishte vdekur para se ai të lindte, ndaj e ëma e tij e kishte shumë merak dhe gjithmonë më merrte në telefon. Ishim studentë shumë të mirë”, kujtoi ai me nostalgji. “E civilizoi politikën, kishte humorin, batutën, ishte shumë komunikues”, theksoi Malaj.

Duke folur për karrierën e tij, Malaj e cilësoi veten me fat që ka patur Fatos Nanon kryeministër, “Nano ishte liberal, ishte mendjehapur dhe më ka dhënë një mbështetje të pakushtëzuar”. Ish-ministri i Financave tregoi se edhe në rastet kur Nano kishte një mendim apo bindje të vetën, ai e diskutonte në mbledhjen e kryesisë dhe vendoste si mendonte shumica, gjë e cila sipas Malajt sot i mungon PS-së. “Ne bënim votime për kandidatët deri në mëngjes, edhe me dy raunde nëse ishte e nevojshme”.

I pyetur se çfarë i dha Fatos Nano Partisë Socialiste, ai tha se Nano i dha frymën liberale, e njihte dhe e respektonte partinë, i dha organizimin nga baza-lart. “Nuk mbante inate, mund të kishte një reagim të momentit po s’mbante inate”, u shpreh Malaj.

Arben Malaj tha se i dhimbset ajo që po ndodh sot në Partinë Socialiste, pasi në partitë moderne brezat duhet të ndërthuren, përvoja dhe eksperiencë e të vjetërve me energjinë dhe frymën e re të të rinjve.

Ish-ministri i Financave gjatë bisedës në studio e cilësoi mbylljen e skemave piramidale si gjënë më të vështirë, por edhe shërbimi më i madh që i kanë dhënë vendit tonë. Ai zbuloi në “Dola te Ola” se po shkuan 3 libra nga të cilët një është për skemat piramidale. “Jam duke shkruar 3 libra, por i pari që do të përfundoj është libri për skemat piramidale në Shqipëri, një botim shqip-anglisht, që t’i mbetet historisë ekonomike të vendit tonë”.

Malaj është baba i lumtur i një vajze, e cila prej vitesh jeton në Amerikë. Ai tregoi se ka një lidhje të veçantë me të bijën teksa u shpreh se ajo e merak pjesën që emri e arritjet e saj të mos atashohet me emrin e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb