Napoli shkruan historinë në Champions League, për herë të parë kualifikohet në fazën çerekfinale, por askush nuk dëshiron të ndalet këtu, ky është viti perfekt për të ëndërruar për gjëra të mëdha. Ekipi i Spallettit zhvilloi një ndeshje fantastike përballë Frankfurt, fitojnë edhe në “Maradona” me rezultatin e pastër 3-0.

Victor Osimhen ishte njeriu i ndeshjes, autor i një dygolëshi. Në limitet e pjesës së parë, Osimhen realizoi një gol shumë të bukur me kokë, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë me portën e boshatisur. Për të kompletuar mbrëmjen perfekte mendoi Zielinski që realizoi golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë.

Luciano Spalletti nuk e fsheh gëzimin për këtë arritje të madhe: “Ky është një rrugëtim i madh, nuk kishim arritur kurrë kaq larg, është një rezultat i madh që duhet ta shijojmë së bashku me tifozët tanë”, u shpreh Spalletti.

Beson te ky ekip Victor Osimhen: “Është shumë bukur të japësh kontribut në këtë skuadër. Kemi bërë një ndeshje të madhe, vijojmë të ëndërrojmë pasi jemi një ekip i madh me një trajner të madh, mund t’i shkojmë deri në fund”, theksoi Victor Osimhen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb