Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka sqaron për “BalkanWeb” të vërtetën në lidhje me dorëzimin e mandatit. Ashtu si republikani Fatmir Mediu që ndodhej në Vjenë, Ndoka shprehet për “BalkanWeb” se ndodhet në Bruksel.

Ai siguron se sapo të kthehet do t’i bashkohet vullnetit të gjithë opozitarëve të tjerë që i dorëzuan mandatet e deputetit.

“Ndodhem në Bruksel. Sapo të kthehem do ta firmos dorëzimin e mandatit”,-shprehet Ndoka.

Përmes një postimi në Facebook, edhe deputetja Rudina Hajdari ka shkruar se ndodhet në SHBA, ku ka zhvilluar takime me disa zyrtarë atje dhe mendohet se kjo është arsyeja e mos firmosjes së lënies së mandatit. “Diskutime të dobishme në Këshillin e BE-së për hapat e mëtejshme të Shqipërisë në rrugën për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarsimin në Bashkimin Evropian. Dje pata takime me personalitete evropiane përgjegjës për njesinë e zgjerimit, në fokus të të cilave ishte “qëndrimi që pritet të mbajë Këshilli i BE-së në Qershor”- ka shkruar Hajdari në Facebook.

Deri më tani kanë dalë publikisht kundër dorëzimit të mandatit dy deputetë, Lefter Koka i LSI-së dhe Myslim Murrizi i Partisë Demokratike. Ndërsa Koka i ka sqaruar arsyet e tij, demokrati ka zgjedhur Tv News 24 për të folur mbi arsyet e tij, sot në orën 19:00.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb